Suedia e përkushtuar të ndihmojë integrimin e Kosovës në BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë , të kryesuar nga Johanna Stromquist, Johanna Stromquist, Shefe e Seksionit të Evropës Juglindore dhe Zgjerimit të BE-së në Ministrinë për Punë të Jashtme të Suedisë dhe Ulrika Grufman, e Jenny Nordman.

Zhvillimet e fundit politike rreth dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, liberalizimin  e vizave për qytetarët e Kosovës dhe proceset integruese euro-atlantike për Kosovën ishin temat që u diskutuan në këtë takim.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj fillimisht falënderoi delegacionin  për ndihmën që shteti i tyre i ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën. Ai ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë, në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe familjen e madhe europiane.

“Suedia i ka dhënë ndihmë të konsiderueshme shtetit të  Kosovës në të gjitha periudhat e shtet ndërtimit e edhe me njohjen e shpejtë të pavarësisë dhe mbështetjen për zhvillimet politike e ekonomike në Kosovë dhe gjithë Ballkanin. Për këtë ne jemi gjithmonë mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga ana e saj, Johanna Stromquist e  falënderoi kryeministrin Haradinaj për takimin e sotëm dhe tha se Suedia vazhdon të mbetet e përkushtuar për të ndihmuar në integrimin e Kosovës në BE dhe në mekanizma tjerë.