Stoltenberg: Prishtina përballet me pasoja serioze nëse e krijon ushtrinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar Prishtinën zyrtare se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaftë të papërshtatshëm” dhe se nuk janë respektuar procedurat. Këto deklarata, kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s. Dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, ka thënë ai.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend më 14 dhjetor. Lidhur me këto synime, kreu i NATO-s ka tërhequr vërejtjen se nëse një gjë ee tilë ndodhë, atëherë “NATO do të shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”.

I pyetur se për çfarë pasoja bëhet fjalë, Stoltenberg ka deklaruar se vendimet i takojnë Këshillit të Aleancës Veriatlantike, si organi më i lartë i NATO-s.