Spartak Tumani: Autostrada është bërë më e sigurt, tarifat janë më të ulëtat në rajon

Spartak Tumani, Drejtor teknik i kompanisë koncesionare që ka bërë koncesionimin e autostradës Kosovë-Shqipëri, pjesa në Shqipëri, ka deklaruar se kjo autostradë është bërë më e sigurt. 

Në një intervistë Tumani tha se koncesionimi është i ndarë në dy faza – dy vjetët e para për t’i kryer ndërhyrjet dhe katër vjetët e ardhshme për mirëmbajtje.

“Koncesionimi ka dy vjet që kur ka filluar punën dhe kemi ecur me ritme të larta si dhe po mundohemi ta sjellim autostradën në parametra bashkëkohor”.

“Koncesionari ka marrë përsipër të gjitha detyrimet kontraktuale, në mënyrë që rruga nga një rrugë me rrezikshmëri të lartë të kthehet në një rrugë me parametra bashkëkohor”.

Këtu ai ka përmendur ndërhyrjen në ura, të cilat kishin filluar të degradoheshin, rrethimin e autostradës që të këtë më shumë siguri si dhe ndërhyrjet në tunel.

“Tuneli i thirrjes në momentin që ka hyrë koncesionari ka qenë në gjendje jo të mirë. Ventilimi dhe sistemi i zjarrit  nuk kanë qenë brenda parametrave teknik. Gjithashtu edhe mirëmbajtja e të gjitha impianteve në tunel nuk ka qenë brenda kritereve bashkëkohore”.

Ai shtoi se gjithashtu janë në përfundim të gjitha mbikalimet dhe nënkalimet që sigurojnë lidhjen e zonave përreth në autostradë.

Spartak Tumani ka shpjeguar edhe vendosjen e tarifës rrugore, për të cilën tha se është më e ulëta në rajon.

“Sa i përket tarifës rrugore përcaktimit të vlerave se a duhet apo jo të vendoset dhe koncesionit, dua të sjellë në vëmendje të të gjithëve që të gjitha dokumentet, studimet dhe hulumtimet janë bërë nga Banka Botërore. Gjatë fazës që është menduar që kjo rruge të bëhet me koncesion është marrë një konsulent i huaj nga shteti shqiptar, firmë greke, dhe ajo ka parë avantazhet dhe disavantazhet që kjo rrugë të bëhet me koncesion. Si përfundim, është arritur që kjo rrugë të behet me koncesion dhe tarifa është caktuar në saje të këtij studimi”.

“Nga informacionet që ne kemi, kjo tarifë nuk është më e shtrenjta. Nga hulumtimet që kemi bërë, për kilometër është më e lirë se të gjitha vendet e Ballkanit. I vetmi ndryshim është që Maqedonia ka disa ndalesa dhe në secilën që kalon, ti paguan nga një euro. Por duke qenë se ti bën distanca të largëta ajo pagesë arrin deri në 6-7 euro, ndërsa autostrada Milot –Morinë ka vetëm një ndalesë në afërsi të qytetit të Kukësit dhe është vetëm një pagesë”.

Tumani gjithashtu tha se mesatarja ditore e qarkullimit të automjeteve në këtë autostradë është 4 mijë e 500 automjete.