Sondazhi i KDI-së: PSD-ja e Shpend Ahmetit nuk e kalon as pragun, Nisma veç 4.9 për qind

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë e para në një sondazh të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sondazhi i prezantuar sot tregon se LDK ka një distancë të ndjeshme ndaj partive tjera rivale.

Sipas këtij sondazhi, nëse zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbaheshin këtë të diel, 23.8 përqind e elektoratit do të votonin për LDK-në.

Në vendin e dytë është radhitur PDK me 18.4 përqind të votave ndërsa Vetëvendosje e treta me 17.6 përqind.

AAK është partia e fundit e cila do ta kalonte pragun prej 5 përqind të votave për të marrë ulëse në Kuvend. Sondazhi tregon se 8.8 përqind e votuesve do të votonin për partinë e cila aktualisht drejton qeverinë e Kosovës.

NISMA Social Demokrate është vetëm pak nën pragun e kërkuar me 4.9 përqind ndërsa PSD ka marrë 2 përqind të votave të respondentëve duke lënë mbrapa AKR-në me 1.7 përqind dhe Alternativën me 0.6 përqind.

Për Listën Serbe janë deklaruar 4.1 përqind të respondentëve.

Të ndarë sipas secilit subjekt politik, këto janë preferencat e votuesve lidhur me koalicionet, të paraqitura në përqindje kumulative:

  • Votuesit e LDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me VV-në (27%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PSD-në (60%);
  • Votuesit e PDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me PSD-në (25%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (86%);
  • Votuesit e VV-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me LDK-në (33%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PDK-në (61%);
  • Votuesit e PSD-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me AAK-në (13%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (65%);
  • Votuesit e AAK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me Nismën (28%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me LDK-në (66%);
  • Votuesit e Nismës Socialdemokrate do t’a preferonin më së shumti një koalicion me PDK-në (16%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (70%);

Subjektet si AKR dhe Alternativa, që kanë përqindje më të vogël të votuesve, janë subjekte të preferuara për të qenë në koalicion, për shumicën e votuesve të partive tjera. Mirëpo për shkak të përqindjes së ulët të votuesve që janë deklaruar se do të votonin për to nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, këto subjekte nuk janë përfshirë në këtë tabelë.