Sindikata: Zhvendosja e MKRS-së, jotransparente dhe me procedura të fshehta

Pas disa protestave që mbajtën kundër zhvendosjes së administratës së Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport nga objekti zyrtar në një objekt privat me një pagesë të madhe mujore për qiranë, duket se shkuan në vesh të shurdhër.

Kabineti i ministrit në largim të MKRS-së, janë duke përgatitur dokumentacionin dhe inventarin përkatës për zhvendosje në objektin privat. Kjo u bë e ditur nga Këshilli Organizativ i Protestës, të cilët thanë se kjo gjë po bëhet pa asnjë procedurë administrative dhe në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Kulturës do të zhvendoset në një objekt privat, ku do të paguajë 45 mijë euro qira në muaj.

Labinot Berisha, Kryetar i Sindikatës në MKRS ka thënë për Ekonomia Online, se e gjithë ky proces ka qenë jotransparent dhe me procedura të fshehta.

“Në fakt si i gjithë procesi i deritanishëm gjithherë është bërë në procedura të fshehta dhe aspak transparente dhe në procedura të rregullta administrative. Deri më tani ende nuk ka informatë zyrtare edhe pse stafi civil nuk ka asnjë tendencë dhe informatë zyrtare as nga Ministria e Administrimit dhe Publike, e cila është shumë konstruktive sidomos pas që i kemi pezulluar këtë proces, mirëpo nga informatat që i kemi, kabinetit i ministrit (Kujtim Gashi), me urdhër të tij, i cilil nuk është më ministër bazuar në nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, ku parasheh që momenti që certifikohen procesi zgjedhor, nënkupton se fillohet mandati, kështu që me automatizëm tashmë që këtë funksion ta ushtronte një zëvendësministër dhe jo të merrte vendime të tilla. Ai mund t’i bartë gjërat personale brenda zyrave që ekzistojnë, por assesi asetet e shtetit”, tha Berisha.

Këtë proces, Berisha po e quan provokim nga ana e ministrit Kujtim Gashi.

“Zyrtarisht ende pothuajse asnjë kompjuter i kabinitetit të ministrit nuk është zhvendosur, unë e shoh më shumë një lloj provokimi të panevojshëm të kësaj situate, e shohim si një mundësi jo të mirë në këtë situatë në të cilën po kalon vendi ynë, për shkak se kemi një qeveri në tranzicion dhe unë mendoj që zotri Gashi ta përfundojë mandatin e vet ashtu siç i ka hije një ministri që të respektojë të gjitha rregullat, këtë rast legjislacionin, dhe jo të marrë vendime të njëanshme”, ka thënë Berisha.

Protestat, bojkoti dhe metodat tjera janë disa nga mënyrat që do të ndërmerren në rast se ky vendim hynë në fuqi.

Thotë se kanë marrëveshje me Ministrinë e Administrimit Publik dhe me MKRS-në këtë rast me zyrën e sekretarit të kësaj ministrie, që ky proces të pezullohet.

“Protestat janë të vogla që mund të shkaktohen. Nëse ndodh që realisht tentohet të lëvizet qoftë edhe stafi politik, ne do të përdorim mjete dhe metoda të ndryshme që do ta parandalojmë. Nuk është që ne po dëshirojmë ta kemi një situatë të tillë por paralajmërojmë që mos të provokohemi me një situatë të tillë ku kemi një marrëveshje me Ministrinë e Administrimit Publik dhe me MKRS-në këtë rast me zyrën e sekretarit të ministrisë që ky proces të pezullohet dhe deri sa nuk ka një vendim të formës së shkruar, atëherë asnjë veprim i njëanshëm mos të ndërmerret. Është e e papranueshme, e pa tolerueshme që një ministër me stafin e tij të kompletojë në paketa asetet e shtetit, këtë punë duhet ta kryejë Administrata e Ministrisë në bashkëpunim me logjistikën në koordinim me MAP”, ka thënë Berisha.

Kujtojmë se kjo zhvendosje e stafit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga objekti aktual është për t’i lëshuar vend Presidencës së Kosovës. Mirëpo para disa ditësh një kërkesë e tillë ishte pezulluar përkohësisht.