Shteti i pafuqishëm përballë kontrabandistëve në veri

Pavarësisht urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës, i cili gjatë takimit të djeshëm me eprorët më të lartë të policisë, urdhëroi kontroll të rreptë të pikave kufitare, sidomos atyre veriore, grupet kriminale në veri të cilat udhëhiqen nga njerëz të fuqishëm, vazhdojnë të fusin mallra të ndryshme nga Serbia, si dhe të kontrollojnë gjithçka në atë pjesë të Kosovës.

Burime të sigurta të KosovaPress-it nga Leshaku, bëjnë të ditur se natën mes të mërkurës dhe enjtes nga Serbia në territorin e Kosovës përmes rrugëve alternative kanë hyrë dhjetëra kombi përplot me artikuj ushqimorë me destinacion komunat veriore të vendit.

Sipas këtyre burimeve, kombit kanë hyrë rrugëve alternative nga të dy drejtimet e pikave kufitare, Jarinje dhe Bërnjak.

“Më shumë se 13 kombi të mbushur përplot me ushqime të ndryshme nga Serbia kanë hyrë mbrëmë gjatë natës nga drejtimi i Jarinjes, përkatësisht rrugëve malore Tresava, Mure dhe Joshanica, dhe po ashtu dhjetëra kombi me mallra, pothuajse të njëjtë kanë arritur të hynë në Zubin Potok përmes fshatit Banje. Nëpër kombi ka pasur qumësht, miell, vaj, detergjent dhe artikuj tjerë e deri tek birrat ‘Zajecarsko’”, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se pjesëtarët e policisë në atë pjesë janë në dijeni për gjithçka, por që nuk duan probleme me njerëz të fuqishëm.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktoi me drejtorin e policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq rreth kësaj çështje, por pa sukses.

Kështu veriu i Kosovës, posaçërisht veriu i Mitrovicës, përkundër organizimit të institucioneve shtetërore për të penguar hyrjen ilegale të mallrave serbe në territorin e Kosovës, sidomos pas aplikimit të taksës 100 përqind, edhe më tutje po vazhdon të jetë ambient ideal për kontrabandë dhe kriminalitet.