Shtetet e Kuintit kërkojnë nga Kosova ta heq taksën për mallrat serbe

Shtetet e Kuniteti kanë kërkuar të nis menjëherë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Madje ata kanë thënë se për të nisur ky proces Kosova duhet ta heq taksën ndaj Serbisë, ndërsa Serbia duhet ta ndalë fushatën për heqjen e njohjeve ndaj Kosovës.

Më poshtë komunikata e plotë:

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët.

Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse.

Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.

Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre.