Shtëpia-shkollë e Herticëve do të bëhet muze (VIDEO)

E kishin ndërtuar për të jetuar në të.

Por destinimi i saj u ndërrua në vitin 1992. Shtëpia tri katëshe e Mehmet Herticës për 7 vjet shërbeu si shkollë për nxënësit e Prishtinës.

Ajo tashmë që njihet si shtëpi-shkollë së shpejti do të shndërrohet në muze.

Këtë e pohon drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova. Sipas tij, është arritur një marrëveshje e parë, por kërkohen edhe të tjera marrëveshje që shtëpia-shkollë të bëhet pronë e Komunës së Prishtinës.

Rugova shton se do të ketë këso nisma edhe për shtëpitë e tjera që kanë shërbyer si shkolla gjatë kohës së luftës.

E familjarët që kanë në pronësi këtë shtëpi thonë se ka vitë që presin që kjo shtëpi të shndërrohet në muze.

Sipas Fadilit, të birit të Mehmet Aliut, janë investuar edhe para me mjete të tyre për restaurimin e shtëpisë. Por shton se nuk pranojnë kompensime financiare për këtë shtëpi-shkollë.

Kjo shtëpi  ka  14 dhomëshe ishte lëshuar për tu shfrytëzuar si shkollë gjatë kohës së okupimit serb.

Tribuna Channel kishte raportuar edhe më herët për këtë shtëpi dhe historikun e saj. Madje në këtë shtëpi – shkollë, gjatë kohës së luftës, mësime kishte ndjekur edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Përndryshe, janë rreth  3200 shtëpi dhe dyqane private në Kosovë që gjatë viteve të nëntëdhjeta u bënë strehë mësimi për nxënësit dhe studentët e Universitetit të Prishtinës.