Shpallet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, e ka liruar nga akuza për vrasje të dyfishtë të akuzuarin Besim Maloku, derisa ai është dënuar me 20 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Blerim Maloku, por ai në seancën fillestare të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 2018, e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse i akuzuari për vrasje të rëndë, Besim Maloku, ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari Blerim Maloku është dënuar me nëntë muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Sipas gjykatësit Pozhegu, dy të akuzuarve në shqiptimin e dënimit do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes, duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku, kanë ikur nga vendi ngjarjes.

Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës”, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ndërsa, Blerim Maloku, akuzohet për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës, nga neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.