Shkollat vazhdojnë me nga dy orë grevë

Në institucionet arsimore të premten është mbajtur grevë dy orëshe.

Si çdo ditë tjetër edhe të premten prindërit sollën fëmijët në çerdhen ‘’Xixëllonjat’’ në kryeqytet.

Por ata u detyruan të presin jashtë në këtë mëngjes të ftoftë.

Kjo për shkak se nga ora 6:30 deri në orën 8:00 ky institucion ka mbajtur grevë.

Përgjegjësja e kësaj çerdhe, Elvira Rafci shpreh edhe njëherë pakënaqësitë për ligjin për paga, e i cili është edhe arsyeja e grevës.

“Ndoshta edhe pa dëshirën tonë po e mbajmë grevën. Nëse vazhdon greva ne kemi me e përkrah vendimin e sindikatës”, ka thënë Elvira Rafci nga çerdhja “Xixëllonjat”.

Por janë prindërit, ata që thonë se nga grevat më së shumti po pësojnë fëmijët e tyre.

Greva dy orëshe të premten ka vazhduar edhe në institucionet tjera shkollore në vend. Kështu konfirmojnë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit e Shkencës së Kosovës.

Por jo të gjithë kanë zbatuar thirrjen për grevë të SBASHK-ut.

Në shkollën Ismajl Qemajli në kryeqytet gjithçka ka vijuar me rregull.

Këtu nxënësit kanë ardhur në shkollë në kohën e zakonshme. Mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë mbajtur mësimin.

Drejtoresha Kimete Dida, tregon arsyet pse është marrë një vendim I tillë për mbajtjen e mësimit. Ajo ka edhe një sugjerim për SBASHK-un në lidhje me grevat.

E pasditen e së premtes, SBASHK ka njoftuar se nga 1100 institucione arsimore në vend, janë 6 shkolla të cilat nuk kanë zbatuar vendimin për grevë.

Bëhet fjalë për dy shkolla në Prishtinë, dy në Malishevë, një në Hade të Obiliqit dhe një në fshatin Rogoqicë të Kamenicës.