Shkelje në Agjencinë e Akreditimit, tre anëtarë lëshojnë mbledhjen

Tre anëtarë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nuk janë pajtuar me vendimin për tejkalim procedurash për t’iu ndihmuar disa institucione të arsimit të lartë në Kosovë. S’janë pajtuar të që të shkelen afatet për vlerësimin e programeve, kanë pasur vërejtje për mënyrën e angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë.

 

 

Agjencia e Akreditimit e Kosovës ka nisur punën këtë vit me shkelje ligjore, me favorizime të disa institucioneve të arsimit të lartë dhe me shkelje procedurale.

Këto janë arsyet pse tre anëtarë të Agjencisë së Akreditimit kanë lëshuar mbledhjen ku janë marrë disa vendime për akreditimin e disa programeve në tri institucione te arsimit të lartë.

Drejtori i Agjencisë dhe as Kryetari i Bordit nuk janë përgjigjur në thirrjet e Express për të sqaruar situatën e krijuar të premten.

Burime të Express kanë treguar se Agjencia ka përshpejtuar procedurat e aprovimit të programeve, duke filluar aplikacione dhe duke sjellë ekspertë në mënyrë të përshpejtuar. Njërit institucion i janë dërguar tre ekspertë ndërsa dy institucioneve tjera i është dërguar vetëm një ekspert pa i kaluar procedurat ligjore.

Për gjithë këto veprime, tre anëtarët kanë paralajmëruar se do të denoncojnë të gjitha shkeljet në institucionet e drejtësisë.

Njëri prej anëtarëve të Agjencisë së Akreditimit, Dukagjin Zeka, ka thënë se të hënën do t’i shpalosë të gjitha shkeljet e Agjencisë. Ka thënë se ndodhet në pushim të vikendit derisa i ka thënë të gjitha në takimin e Agjencisë.

“Gjithçka që kam pasur i kam thënë në takim. Nuk dua të komentoj më shumë sepse jam në pushim. Pas të hënës mund të flasim për të gjitha temat me fakte dhe argumente”, ka thënë Zeka, në një përgjigje me shkrim për Express.

S’është hera e parë kur Agjencia e Akreditimit përfshihet në veprime të paligjshme. Para një kohë, kjo agjenci kishte marrë disa vendime kontradiktore për universitet publike në Kosovë, duke u detyruar t’i tërhiqte më pas.

Po ashtu, gjatë vitit të kaluar, Agjencia e Akreditimit s’i ka akredituar tri universitetet publike, duke ua pamundësuar regjistrimin e studentëve në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Bordin e Agjencisë posa kishte marrë pozitën e Shefit të Qeverisë. i kishte akuzuar se janë hajna. Edhe më vonë kishte lëshuar akuza ndaj anëtarëve aktualë të Agjencisë, duke thënë se të njëjtit kanë interesa personale për vendimet që marrin.

Asnjëherë Prokuroria dhe as Policia e Kosovë s’është marrë për të parë nëse këto akuza të thëna nga Shefi i Qeverisë janë të bazuara.

Nuk dihet se si do të veprojë Qeveria e re me këtë agjenci dhe as Parlamenti, i cili e ka përzgjedhë anëtarët e Agjencisë.