Shkarkimi i qeverisë po mbanë peng investimet kapitale të vitit 2020

Projektet kapitale që ishin paraparë të tenderohen në vitin 2020 nga institucionet e nivelit qendror kanë mbetur vetëm në letër si të tilla. Ato u pezulluan për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Disa nga projektet kapitale që janë paraparë të realizohen nga niveli qendrorë në këtë vit segmenti Pejë- Kuqishtë, programet mbështetëse të sistemit, ndërtimi shumë rrugëve dhe kanalizimeve nuk dihet nëse do të nisin sivjet, shkruan lajmi.net. Kjo pasi Ministria e Financave dhe Transferve do të marrë një pjesë të parave të parapara për këto investime që të mbulojë shpenzimet për lehtësimin e efekteve ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.

Projekte të reja konsiderohen vetëm ato projekte që janë paraparë për këtë vit dhe jo ato që janë duke vazhduar nga vitet e mëhershme. Vlera e përgjithshme e investimeve kapitale në buxhetin e këtij viti parashihet të jetë 624 milionë euro.

Se kur do të nisin procedurat për investimet kapitale në këtë vit, nuk e kanë një datë në ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi para pak ditëve tha se se kjo do të mund të ndodhte vetëm pas rishikimit të buxhetit.

Muharrem Shahini, drejtor në zyrën për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave dhe Transferve thotë se sa i përket procedurave tenderuese dhe realizmit të tyre, nga Ministri është lëshuar një Qarkore për procedurat e reja në nivelin qendror të cilat nuk mund të zhvillohen pa miratim me shkrim nga Ministri i Financave. Mirëpo ky kufizim nuk ka prekur nivelin lokal.

Sipas tij, qëllimi i kësaj Qarkore është që të sigurohet mundësia e vazhdimit të kryerjes se obligimeve dhe projekteve në vijim, pa marre zotime të reja shtesë për shkak të pasigurisë dhe efektit në të hyra se ai përket situatës së pandemisë.

Ai tha se kjo situate do të rivlerësohet dhe do të jepen udhëzimet e reja në kohë.

Shahini tha se rishikimi i buxhetit duhet të ndodh dhe do të ndodh në momentin që krijohen kushtet që Qeveria të propozojë rishikimin e buxhetit dhe aprovimin e tij nga Kuvendi

“Rishikimi i buxhetit do të thotë aprovim i një ligji nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe për momentin Kuvendi nuk është duke proceduar për aprovim nismat qeveritare. Rishikimi duhet të ndodh dhe do të ndodh në momentin që krijohen kushtet që Qeveria të propozojë rishikimin e buxhetit dhe aprovimin e tij nga Kuvendi”, ka thënë Shahini për lajmi.net.

Dispozitat e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit qëndrojnë të heshtura në lidhje me kompetencat e qeverisë në dorëheqje për të propozuar projektligje.

Megjithëkëtë, Kosova po rrezikon të humbasë rreth 300 milionë euro kredi nëse nuk arrin që të ratifikojë në Kuvend marrëveshjet të cilat janë negociuara nga Qeveria me Bashkimin Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtarë financiarë.

Totali i marrëveshjeve të cilat duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar përfshinë pesë marrëveshje kredie në vlerë 228.1 milionë euro dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë 61 milionë euro.