Shënohen 16 vjet nga pritja e kosovarëve në Kukës

Qyteti i Kukësit 16 vjet më parë priti dhe strehoi qindra-mijëra shqiptarë të Kosovës që dëboheshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

Kolonat e të dëbuarëve, që nga Mitrovica dhe nga çdo skaj i Kosovës ishin të pafundme. Kukësi një qytet me rreth 25-mijë banorë strehoi më shumë se 75-mijë refugjatë nga Kosova.. Të tjerët rreth 800-mijë deri 1-milion syrësh gjetën strehë në shtëpitë e çdo familje shqiptare nga Shkodra e Tirana deri në Vlorë, Korçë, Gjirokastër dhe Sarandë..

Në çdo 16 prill vijnë këtu në Kukës mijëra njerëz nga çdo anë e Kosovës. Ata bashkë me kuksianët grumbullohen në sheshin, ku dikur bëhej pritja e të dëbuarve, aty ku është ngritur “Kulla e pritjes”, në nderim të refugjatëve të luftës.

16-Prilli simbolikisht shënon përkujtimin e eksodit, që nis më 27 mars të vitit 1999, kur në Kukës mbërritën mbi gjysmë milioni shqiptarë të dëbuar nga Kosova. Kjo datë përkon edhe me mbërritjen e më se 75-mijë shqiptarëve të Mitrovicës pas një udhëtimi rraskapitës nëpër Kosovë./RTK/