SHBA jashtë përfshirjes në çështjen e formimit të qeverisë: Si rrodhën takimet e Grenellit me Kurtin e Mustafën?

Grenelli takoi Kurti e Mustafën dhe deklaroi: Nuk përfshihem në çështjen e formimit të qeverisë!

Përfaqësuesi special i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, pasi takoi mandatarin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurtin, tha se taksa 100% ndaj Serbisë duhet të hiqet dhe kjo e fundit duhet të ndërpresë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, shtoi se nuk është i interesuar të përfshihet në çështjen e formimit të qeverisë, veçse theksoi se i ka thënë Kurtit që edhe shtete të tjera kanë pasur probleme rreth krijimit të koalicioneve të panatyrshme.

Ambasadori Grenell, që po qëndron për vizitë në Kosovë, tha para gazetarëve se po provon të injorojë atë që ai e quajti “beteje politike” në Kosovë dhe po përqendrohet në zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, për të ecur tutje drejt zhvillimit ekonomik duhet të hiqet taksa 100% ndaj Serbisë, e vendosur nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2018.

“Po provoj të injoroj betejën politike dhe të përqendrohem në zhvillimin ekonomik. Për shkak të kësaj, i kërkova z. Kurti dhe do i kërkoj çdo udhëheqësi politik këtu që është shumë e rëndësishme se nëse dëshirojmë të ecim përpara, nevojitet zhvillimi ekonomik dhe taksa 100% të hiqet, është diçka që duhet të hiqet, po ashtu edhe fushata e Serbisë duhet gjithashtu të ndalet. Unë mendoj se që të dyja duhet të ndodhin në mënyrë që bizneset të rriten, të krijohen vende të punës për të rinjtë. Unë do ta përçoj të njëjtin mesazh edhe në Beograd . Dëshiroj që ne të ecim përpara dhe të ndihmojmë familjet e reja dhe të rinjtë që të kenë punë me paga më të mira dhe një situatë me ekonomi në rritje. Ky ishte mesazhi im që e përçova këtu dhe do jetë mesazhi i njëjtë që do e përçoj në Serbi”, tha Grenell.

Ambasadori amerikan në Berlin tha se çështjen e formimit të qeverisë e shikon vetëm prej anash meqë nuk është i interesuar të përfshihet në diçka të tillë.

“Çështja e formimit të qeverisë nuk është çështje e imja dhe nuk jam i interesuar të përfshihem, gjithçka që po shikojmë nga anash. Do i them dy gjëra, i thash z. Kurti se shtetet si Britania e Madhe dhe Gjermania kanë pasur probleme për krijimin e koalicioneve të panatyrshme për të formuar qeverinë, ju thash se ne po shikojmë dhe se ne nuk kemi ‘ndonjë qen në këtë betejë’ dhe vetëm po shikojmë se çfarë po ndodh dhe i inkurajojmë të ndjekin sundimin e ligjit si çdokush tjetër, dhe ta dinë që edhe shtetet e tjera kanë pasur problem për krijimin e koalicioneve të panatyrshme”, tha Grenell.

Ambasadori Grenell, pas takimit me kryetarin e Vetëvendosje, Albin Kurtin në selinë e Lëvizjes, tha se zhvillimi ekonomik është gjëja më e rëndësishme dhe përpjekja për krijimin e vendeve të punës dhe për sjelljen e bizneseve evropiane e amerikane në Kosovë.

Ai tha se njerëzit janë të uritur për të vepruar dhe të ndihmojnë në rritjen ekonomike.

Ndryshe, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell pas takimit që ka pasur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa deklaroi edhe një herë se ata nuk janë të interesuar të ndërhyjnë në formimin e qeverisë, por në zhvillimin ekonomik.

Grenell edhe nga selia e LDK-së kërkoi largimin e taksës dhe të ndërpritet fushata e dëmshme e Serbisë karshi Kosovës.

“Sapo u takova me liderët e LDK-së, dua që të falënderoj z.Mustafën që na ka pritur, kemi shikuar disa fotografi prej karrierës së tij dhe ai ka shumë eksperiencë. E ndava mesazhin e njëjtë që është se ne në Amerikë nuk jemi të interesuar që të përfshihemi ose se si do të formohet qeveria, ne jemi të interesuar në zhvillim ekonomik, dhe e ndava vizionin tim për të arritur aty shumë shpejtë duke hequr tarifën, ndërsa serbët që të ndalin kampanjën për tërheqje të njohjeve.

Grenell ka arritur në Kosovë dje, ku fillimisht është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sot ka takuar Albin Kurtin dhe Isa Mustafën.