Shala: Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar afirmon shtetësinë e Kosovës

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në detyrë, Endrit Shala, dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, kanë nënshkruar marrëveshje për partneritet, tregti dhe bashkëpunim ndërmjet Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën Veriore.

Ministri i MTI-së në detyrë, Endrit Shala, tha se bashkëpunimi i mirë me Mbretërinë e Bashkuar do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa shtoi se kjo marrëveshje përveç aspektit ekonomik fuqizon lidhjet politike dhe afirmon shtetësinë e Kosovës, raporton EO.

“Është një hap para qe Kosova së bashku me Mbretërinë e Bashkuar arrijnë qe edhe në të ardhmen edhe pasi që Mbretëria e Bashkuar të dalë nga Bashkimi Evropian marrëveshjet tona të vazhdojnë. Kjo marrëveshje nuk e prek vetëm sektorin ekonomik dhe tregtar por forcon edhe lidhjet politike, afirmon shtetësinë Kosovës. Kënaqësi që në përfundim të mandatit të arrijmë këtë sukses”, u shpreh Shala.

Ndërsa, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, tha se është i lumtur që po nënshkruajnë këtë marrëveshje për të cilën tha se është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. “Jam i lumtur qe sot kemi nënshkruar këtë marrëveshje një hap i rëndësishëm. Do të shoh nëse do dalim nga BE-ja. Por edhe nëse ndodh marrëveshjet vazhdojnë. Ne kemi një marrëveshje me Kosovën dhe është shumë e rëndësishme të kemi këtë marrëveshje. Falënderoj ministrin dhe ministrinë për këtë bashkëpunim”, theksoi Abbott.