Serbia u bën thirrje qytetarëve të saj në SHBA që ta votojnë Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020

Institucionet e shtetit serb nuk po lënë asnjë mundësi duke lobuar kundër shtetit të Kosovës, duke tentuar të bllokojë këtë fundit të që të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Madje diplomacia serbe po punon edhe në aspektin e tërheqjes së njohjeve të shteteve që e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur.

Së fundmi shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, ka paralajmëruar se do t’i organizojë serbët që jetojnë në SHBA që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen në atë vend, të votojnë për presidentin aktual Donald Trump.

Gjatë një interviste dhënë të përditshmes serbe Telegraf, Daçiq ka thënë se nëse serbët tregohen të mençur mund të krijojnë një pozicion më të mirë për Serbinë në administratën e re në Washington, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, plani është që të promovohet e vërteta për Kosovën dhe qëndrimet tonat për këtë vend, kurse strategjia mbështetet në dy drejtime.

Siç raporton e përditshmja serbe, zyrtarët e lartë shtetëror serbë besojnë se tani është momenti i duhur për të vepruar, kjo për faktin se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhe se sipas tij do të zhvillohet betejë e ashpër për çdo votë.

“Serbia tani është në një pozitë shumë më të mirë se që ishte gjatë viteve të kaluara. Tani në Washington ekziston vullneti që të dëgjohen qëndrimet tona. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se do të ndalemi me kaq, përkundrazi do të intensifikojmë përpjekjet tona që të forcojmë pozicionin tonë, ta rrisim numrin e miqve që i kemi në SHBA, që sa më shumë senatorë dhe kongresistë, njerëz në pozita kyçe të jenë përkrah nesh”, ka shtuar Daçiq.

“Si ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, do të organizojë edhe zyrtarisht tubime që do të përkrahin Trumpin në zgjedhjet e ardhshme. Por nëse e bëjmë në një mënyrë të zgjuar, nëse jemi unik sa i përket votimit që nuk janë pak në numër, do të krijojnë një pozicion më të mirë në administratën e re. Kështu kanë vepruar edhe shqiptarët, ishin unik sa i përket votimit të diasporës së tyre, që gjithmonë votojnë vetëm një kandidat”, ka shtuar ministri i Jashtëm serb.

Ai ka përmendur Eliot Engel i cili vazhdimisht i ka të sigurta votat e shqiptarëve, dhe se sipas Daçiqit nuk është për t’u çuditur që ai mbron interesat e shqiptarëve. Daçiq beson se serbët nëse veprojnë sikurse shqiptarët, pra nëse fillojnë ofensivën në zgjedhjet e ardhshme do ta ndihmojnë shumë Trumpin. Ndryshe sipas mediave serbe në SHBA jetojnë afro 650 mijë serbë.

Pjesë e planit është edhe roli aktiv i Serbisë në Kongresin amerikan dhe atë përmes Steve Stiver, kongresist nga Ohio, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe është aktiv në lobimin e interesave serbe.

“Steve Stiver është i duhuri për këtë punë, lufton dhe ka shumë energji dhe kontakte të mira te Republikanët”, ka deklaruar për të përditshmen serbe një tha themeluesit e Kongresit të miqësisë serbo-amerikane dhe njëherit nënkryetari i Kuvendit, Vladimir Marinkoviq.