Serbia liron dy pjesëtarët e FSK-së që i kishte ndaluar të premten

Dy pjesëtarët e FSK-së nga radhët e komunitetit serb të arrestuar nga Serbia të premten, janë liruar.

Lajmin e ka konfirmuar  zyra  e informimit  në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

MPJ thotë se lirimi i tyre është bërë dje, në orën 10:00

Për ndalimin e pjesëtarëve të FSK-së nga ana e Serbisë pas kalimit të pikës kufitare në Bërnjak, të premten kishte reaguar dhe MPJ e Kosovës.

Kjo ministri në reagimin e saj kishte shprehur indinjatën për sjelljet e Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme proteston për sjelljet e tilla të pahijshme dhe tendencioze ndaj pjesëtarëve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për pjesëtarët e FSK-së dhe të komunitetit serb të Kosovës”, thuhej ndër të tjera në reagimin e MPJ-së.

Arrestimi i pjesëtarëve të FSK-së nga ana e Serbisë nuk është rasti I vetëm. Pjesëtarë të policisë serbe vite më parë kishin arrestuar edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në kufirin Kosovë-Serbi.

Po ashtu Serbia kishte arrestuar në vitin 2016 edhe Nehat Thaçin në atë kohë Drejtori i Policisë në Mitrovicën Jugore, të cilin Serbia e akuzonte për terrorizëm.