Selmanaj: Vetëvendosje s’është as afër kapaciteteve të LDK-së

Kandidati për deputet nga Lidhje Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, ka folur për situatën pas zgjedhore në Kosovë.

 

Selmanaj, në RTV Dukagjini, ka thënë se LDK-ja ka pritur fitore në zgjedhje për shkak të punës që kanë bërë dhe sondazheve të besueshme.

Ai ka thënë se rezultatet duhen analizuar në shumë aspekte.

“Vetëvendosje as për së afërmi nuk ka kapacitetet e LDK-së. Zoti Kurti pothuajse i vetëm e fitoi këtë garë. A ka qenë kjo votë e revoltës? Ndoshta ndonjë eksperiment që duhet provuar dikush që nuk ka qeverisur më parë”.

Kandidati për deputetë nga Lidhje Demokratike e Kosovës ka thënë se megjithatë është lajm i mirë fitorja “plebishitare e opozitës”.

Selmanaj ka thënë se koalicionin LDK-Vetëvendosje e pret një sfidë për të përafruar programin qeverisës.

“Me thënë të drejtën kemi dallime të mëdha në programe…Nuk do jetë problem ndarja e posteve ministrore”.

Ish-deputeti i LDK-së ka thënë se është lajm i mirë që qeveria e re nuk do të ketë më shumë se 13 ministra dhe secila ministri nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra.