Rusia s’do të lejojë ta përjashtojnë nga zgjidhja e çështjes së Kosovës

Një nga mesazhet kryesore të dërguara nga vizita e kryeministrit rus, Dimitri Medvedev në Serbi është se Rusia nuk do të lejojë që të përjashtohet nga zgjidhja e çështjes së Kosovës.

Kështu është vlerësuar vizita e kryeministrit rus në Serbi nga diplomati Zoran Milivojeviq.

“Ky mesazh ka një rëndësi të veçantë aktualisht, duke pasur parasysh iniciativën amerikane, emërimin e të dërguarve specialë dhe përpjekjet për të përshpejtuar dhe rinegociuar çështjen në një platformë që nuk korrespondon me interesat kombëtare të Serbisë”, ka thënë Milivojeviq për ‘Tanjug’, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, kjo platformë përfshin realizimin e interesave perëndimore dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai mendon se vizita e Medvedev konfirmon se Rusia do të mbetet e qëndrueshme në mbështetjen e saj për Serbinë dhe nuk do të lejojë që vetvetiu të përjashtohet nga zgjidhja e kësaj çështje e as të zgjidhet përtej fushëveprimit të ligjit ndërkombëtar dhe Rezolutës 1244.

“Këtë herë, Rusia ka dërguar një mesazh shumë të qartë se ajo do të qëndrojë në anën e Serbisë dhe se nuk do të lejojë asnjë zgjidhje që nuk nënkupton mbrojtjen e interesave komëbtare dhe shtetërore të Serbisë”, ka theksuar Milivojeviq.