“Rusia është e vendosur që të mos e zgjidhë çështjen e Kosovës”

Interesi i Rusisë është që të mos zgjidhet çështja e Kosovës dhe të gjitha konflikteve të ngrira në Ballkanin Perëndimor.

Rusa ka interes dhe është e vendosur që të mos e zgjidhë çështjen e Kosovës, pasi që nëse zgjidhet kjo çështje atëherë nuk do të ishte aq tërheqëse për Serbinë.

Kështu ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë në Rusi, Maksim Samorukov, zëvendësdrejtori i Qendrës “Carnegie” në Moskë, qendër kjo e cila merret me studimet në politikën e brendshme dhe të jashtme, marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë ndërkombëtare dhe ekonominë, transmeton lajmi.net.

Sipas Samorukov, kur bëhet fjalë për ambiciet e Rusisë për t’u përfshirë në dialogun Beograd-Prishtinë, Kremlini zyrtar ka interes që të mos e zgjidhë këtë çështje dhe se deklaratat e zyrtarëve rusë për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare mund të shihen si të paqarta.

“Rusia, si në konfliktet e tjera në Ballkanin Perëndimor, nuk dëshiron që konflikti mes Serbisë dhe Kosovës të zgjidhet. Mbështetja e Rusisë në këtë kohë është thelbësore për Serbinë, kryesisht për shkak të situatës në Kosovë. Serbia ka nevojë për Rusinë ndërkombëtarisht dhe fuqinë e saj në Kombet e Bashkuara për të parandaluar njohjen e plotë të Kosovës. Sapo të zgjidhet konflikti, Rusia nuk do të jetë më aq tërheqëse për Serbinë. Por deri më tani, ne kemi parë kaq shumë probleme dhe pengesa në mënyrën e zgjidhjes së këtij konflikti që Rusia praktikisht nuk ka për të bërë shumë për ta parandaluar atë”, deklaroi Samorukov, transmeton më tutje lajmi.net.

Ai theksoi se në këtë kuptim, deklaratat që vijnë nga zyrtarët rusë janë të paqarta. Nga njëra anë sipas Samorukov, Rusia thotë se është e gatshme të mbështesë çdo zgjidhje të pranueshme për Serbinë, por nga ana tjetër thotë se duhet të bazohet në Rezolutën 1244 të OKB-së, e cila pengon pavarësinë e Kosovës.

Dhe është me këtë paqartësi siç thotë Samorukov, Rusia dëshiron t’i tregojë Serbisë që Kremlini, në të vërtetë, nuk e aprovon që Serbia të njohë Kosovën.

“Por unë sigurisht nuk do të thosha që Rusia është pengesa kryesore për zgjidhjen e këtij konflikti. Ka shumë pengesa në nivelin lokal dhe ka një rrugë të gjatë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, kështu që Rusia mund të pushojë sepse zgjidhja përfundimtare nuk duket të jetë afër”, Samorukov.

Ai thekson se Ballkani Perëndimor nuk është përparësi për Rusinë dhe se nuk është i gatshëm të investojë shumë para ose përpjekje në rajon, por një gjë të tillë nuk e dëshiron as Perëndimin në Ballkan.

“Zhurma gjeopolitike në të cilën ndodhet rajoni aktualisht është ideale për Rusinë. Kjo nuk do të thotë as stabilizim i plotë, as destabilizim i plotë, por diçka ndërmjet tyre. Rusia nuk dëshiron që konfliktet e ngrira në Ballkan të zgjidhen, sepse konfliktet e ngrira e mbajnë Ballkanin Perëndimor larg NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por Rusia gjithashtu nuk dëshiron që ato konflikte të bëhen aktive, sepse ajo gjithashtu ka linjën e saj të kuqe”, theksoi Samorukov në këtë intervistë.

Maksim Samorukov, zëvendësdrejtori i Qendrës “Carnegie” në Moskë.