Rrugët e rrezikshme deri te shkolla (Video)

Prindërit e fëmijëve të lagjes Dobruna në fshatin Llozicë të Malishevës këtë të enjte kishin ndaluar fëmijët që të shkojnë në shkollë për shkak se ndjejnë që ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut gjatë rrugës.
Qytetarët janë ankuar në KALLXO.com për sfidat me të cilat përballen fëmijët e tyre në rrugën deri te shkolla.

Shkolla e tyre gjendet nja 3 kilometra larg rrugës kryesore dhe nxënësit shfrytëzojnë një rrugë dytësore në mënyrë që ta shkurtojnë kohën dhe rrugën për në shkollë.

Por halli i tyre është që për të shkuar rrugës kryesore, fëmijët ndihen të rrezikuar nga veturat që qarkullojnë me shpejtësi në magjistralen Prishtinë- Pejë.

Edhe rruga dytësore i ka rreziqet e veta, pasi që u duhet ta kalojnë një lum.

Fatin e keq, vitin e kaluar e kishte pasur djali i Çerkin Dobrunës, i cili kishte rënë në lum.

“Tafil Dobruna ma ka shpëtu djalin prej ujit. Jo sikur sot, por ka qenë uji më i madh, se zakonisht në pranverë dhe vjeshtë uji është më i madh dhe ka qëllu këtu dhe e ka kap për dore dhe e ka shpëtuar”, thotë Dobruna.

Eduartit i kujtohet gjithçka nga momenti më i rëndë në jetën e tij.

“Isha tu kalu këndej. Uji ka ardhë me hyxhym dhe më ka marrë. Ka qëlluar një mixhë i mëhallës, ai ka ardhë dhe më ka shpëtu”, thotë Eduarti.

Që rruga e fëmijëve deri në shkollë është me rrezik e tregon edhe banori i lagjes Fadil Dobruna.

“Gjatë kohës së dimrit dhe pranverës, këtu bëhen vërshime shumë të mëdha. Bile është një rast, xhaxhai im i ka shpëtu tre fëmijë. Diku 10 metra në ujë ka luftuar me ujin deri i ka shpëtuar ata”, thotë ai.

Por fëmijët janë te rrezikuar edhe nga rruga kryesore, ku tani është duke u ndërtuar autostrada Prishtinë – Pejë.

Ramiz Dobruna, tregon se në këtë rrugë, ka humbur jetë një fëmijë.

“Kemi pasë raste tragjike, edhe fëmijë të hasretit na kanë vdekur në rrugë andej e lëri tash më, që është shpejtësia e madhe. Shumë në rrezik janë”, thotë ai.

Kjo lagje e cila ka mbi 100 nxënës që shkojnë në shkollën fillore “Gjergj Kastriot”, për t’i iku autostradës dhe për t’i ikur fatkeqësive nga lumi, kërkojnë nga komuna e Malishevës, që t’u rregullohet ura dhe rruga, pasi kjo rrugë shkurton distancën në 2 kilometra nga lagja në shkollë.

“Na po kërkojmë një urë këtu së pari, 600 metra e kemi prej asfaltit tonë mu lidh me lagjen e Zogajve këtu, kurgja tjetër nuk jemi duke kërkuar. Ndoshta është nevoja me kërku edhe shkollë në mëhallën tonë, janë mbi 100 nxënës. E dimë se në fshatrat tjera edhe me 30-40 nxënës janë ndërtuar shkolla, por të paktën bile këtë rrugë”, thotë Qerkin Dobruna

Fadil Javori, drejtor i shkollës fillore “Gjergj Kastriot” në Llozicë, thotë se është i njoftuar me ndaljen e nxënësve nga shkolla të lagjes Dobruna, por ai porosit se ndalja e nxënësve nga shkolla shkon në dëm të vetë fëmijëve.

“Unë ju bëj thirrje që qysh nga nesër nxënësit të vinë në shkollë, sepse për veç tjerash është fundi i vitit dhe kjo shkon në dëm të nxënësve, në dëm të kualitetit të mësimit, të dijes së tyre”, thotë drejtori i shkollës.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha për KALLXO.com se është në dijeni me rastin, dhe se Drejtoria Komunale e Urbanizimit është duke i bërë përmasat për urën dhe se ajo shumë shpejt do të rregullohet, ndërsa për asfaltim të rrugës tha se duhet të pritet edhe pak kohë.

“E di se ka vështirësi kalimi në atë rrugë. Do të bëjmë përpjekje ta bëjmë urën dhe do ta punojmë urën shumë shpejt”, tha Begaj.

Derisa të rregullohet ura, nxënësit do të ballafaqohen me vështirësinë e zgjedhjes se nga cila rrugë ta marrin rrezikun për të kaluar në rrugën e tyre deri te nxënia e diturisë, dhe me rreziqet që bart secili opsion për ta. /KALLXO.com/

https://