Rritja e pagave do të ndalte largimin e mjekëve

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës po kërkon që në projektligjin e pagave të bëhen disa ndryshime të cilat do krijonin vend më meritor për personelin shëndetësor në vend.

Këto kërkesa ata i paraqiten në tryezën e organizuar nga ta ku u diskutua mbi Projektligjin e pagave si pjesë e pakos legjislative të reformës në Administratën Publike.

Kryetari i FSSHK-së u shpreh  i shqetësuar edhe për moshën e shtyrë të personelit mjekësor që punojnë në sektorin shëndetësor në vendin tonë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli u shpreh se ka pasur fokus intensiv në përmirësimin e infrastrukturës mjekësore në vend, duke shtuar se në shëndetësinë kosovare duhet të investohet në trajtimin më të mirë të pacientëve dhe investimi në edukimin për punëtorët shëndetësor.

Duke folur për largimin e personelit shëndetësor nga Kosova, Ismajli u shpreh se mekanizmi kryesor që personeli shëndetësor të qëndrojë në Kosovë është paga e dinjitetshme.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale Besa Baftiu tha se ligji për pagat ka qenë i domosdoshëm pasi që deri më tani në Kosovë pozita të njëjta janë paguar ndryshe nga një institucion në tjetrin  dhe që kjo përbërë pabarazi.

Projektligji për pagat ditë më parë ka kaluar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvendin e Kosovës.