Rrëfimi i mjekes kosovare që ndihmoi me barna të prekurit nga tërmeti

Tërmeti 6.4 ballë që goditi Shqipërinë në orët e hershme të 26 nëntorit, ku vdiqën mbi 50 persona dridhi zemrat e të gjithë shqiptarëve anekënd botës.

Situata me të cilën përballeshin qytetarët atje preku të gjithë.

Secili në mënyrën e vet që nga Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e deri tek qytetari i thjeshtë u mobilizuan për t’i dalë në ndihmë të prekurve nga kjo tragjedi.

Një iniciativë së bashku me kolegët e saj e ndërmori edhe doktoresha Dafina Krasniqi, e cila një ditë pas tragjedisë nuk qëndroi duarkryq.

Ajo për klankosova.tv tregon se si erdhi deri tek mobilizimi për të siguruar ndihmat që ishin kryesisht medikamente dhe gjësende për fëmijë.

“Ishte dita e mërkurë, një ditë pas tragjedisë. Po shikoja në rrjetin social Facebook. Aty lexova edhe lajmin në llogarinë tek një doktoreshë nga Tirana e cila kishte shkruar që nevojiten urgjent barna. Në ato momente edhe unë mendova të filloja iniciativë në ndihmë vëllezërve e motrave tona atje “.

“E kam kontaktuar Dr.Blerta nga Shqipëria ma ka konfirmuar që duhen urgjent medikamente mjekësore, veshmbathje për fëmijë dhe ushqim për bebe. Në ato momente kam publikuar një status në Facebook që unë do të udhëtoj në Shqipëri dhe kush ka mundësi për të më ndihmuar “.

“Kanë filluar komentet ku mundem, me të takuar me të ndihmuar? Dikush ofroj veshmbathje për fëmijë dikush tjetër ushqim. Dy donatorët më të mëdhenj që ma kanë lehtësuar punën shumë janë barnatore “Joni “Fushë Kosovë me pronar Shkumbin Jusufi, që ka dhuruar sasi të madhe barnash për pacientet në Spitalin e Durrësit. Mua më është lehtësuar puna edhe më shumë kur kompania Shell përkatësisht Teuta Kryeziu shprehën vullnetin të na heqin shpenzimet e derivateve “.

Pamjet që pa Dafina me të arritur në Durrës ia risollën në kujtesë luftën e para 20 vjetëve në Kosovë.

“Me të hyrë në Durrës pashë çdo gjë të rrënuar, vetëm disa mace e qen nëpër qoshe, aty këtu disa pleq. Ato hotelet që shkonim për pushime verës ishin të tëra të rrënuara. Thjesht mu kujtua koha e luftës në Kosovë “.