Rezultatet përfundimtare, pesë ankesa në drejtim të Supremes

Pesë ankesa kanë shkuar në drejtim të Gjykatës Supreme rreth rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 6 tetorit nga ana e KQZ-së.

Pas interesimit të KosovaPress, Gjykata Supreme tha se që të gjitha ankesat janë individuale të deputetëve.

Nga këto ankesa, një është nga kandidati për deputeti i LDK-së, një nga kandidati për deputet i Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), një nga kandidati për deputet i Partisë Liberale të Ashkalinjëve dhe dy nga kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe vendosen brenda afatit ligjor prej 72 orësh nga koha e deponimit të tyre.

Ndërsa, pak më parë, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se në Gjykatën Supreme kanë deponuar ankesë tre kandidatët të cilët ishin shpallur fitues nga KQZ dhe kishin fituar ulëse, mirëpo në përgjigjen e Gjykatës Supreme thuhet se nga VV kanë mbërritur dy ankesa.