Reciprociteti: Sot 11 maune me mallra serbe nuk u lejuan të hyjnë në Kosovë

Dogana e Kosovës ka kthyer mbrapa 11 manue nga Serbia.

Dogana e Kosovës është duke zbatuar në përpikëmëri vendimin e Qeverisë së Kosovës që çon në aplikimin e masave të reciprocitetit me Serbinë.

Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganës së Kosovës i ka thënë lajmi.net se 11 maunet serbe të kthyera mbrapa kanë të bëjnë më aplikimin e masave të reciprocitetit.

“Deri tani kemi te kthyer rreth 11 maune, te gjitha kthimet kane te bëjnë me aplikimin e masave te reciprocitetit sipas pikës 1 respektivisht 1.1 dhe 1.3 dhe gjithashtu edhe pikës 3 te vendimit te qeverise”, ka bërë të ditur Stavileci për lajmi.net.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq, tha se që nga ndërmarrja e masave të reja tregtare nga Qeveria në detyrë e Kosovës, kamionët nga Serbia po kthehen prapa në vendkalimet në Kosovë, sepse “asnjëri nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga Dogana e Kosovës”.

 

“Me të ashtuquajturat masa reciproke, dërgimi i mallrave nga Serbia në Kosovë është zyrtarisht i kufizuar dhe i ndaluar, sepse kushtet janë të tilla që asnjë kompani nga Serbia nuk mund t’i përmbushë ato”, tha Lajiq, duke shtuar se masat e reja “nënkuptojnë ndërprerjen e të gjithë tregtisë në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

Kujtojmë, se të shtunën mbrëma në Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur masa tregtare shtesë për Serbinë, duke ndaluar përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale me “emra vendesh që përmbajnë elemente që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që përmbajnë elemente që mohojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.