Ramush Haradinaj jep dorëheqje, shkak ftesa e Gjykatës Speciale

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

“Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa ka bërë të ditur se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale.

Ai para mediave ka thënë se dorëheqje ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë.

“Sot informova Qeverinë do t’i informojë edhe institucionet tjera për dorëheqjen time të parevokueshme. Arsyeja është se kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, javën tjetër do të paraqitem në Gjykatën Speciale, dhe kam vlerësuar së nuk mund të paraqitem si kryeministër i Kosovës, por do të paraqitem si qytetar i thjeshtë, pra si Ramush Haradinaj, Qeveritë dhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, ka thënë Haradinaj.

Është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës