Qeverisë i shtohet edhe një ministër me aktakuzë Haradinaj hesht (VIDEO)

Qeverisë Haradinaj i shtohet edhe një ministër me aktakuzë. Pas Pal Lekajt, Valdrin Llukajt, e Besim Beqajt, edhe ndaj zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi është ngritur aktakuzë.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që u panë duke gjuajtur me armë në një aheng në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, raporton Tribuna Channel.

Kolegu i Limajt në Qeveri, Dardan Gashi, ish-kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku, si dhe Endrit Shala janë tre prej tyre ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë.

Ata po festonin lirimin nga të gjitha akuzat të Fatmir Limajt, për kohën sa ai udhëhiqte ministrinë e transportit.

Kjo aktakuzë, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti Kosovar për Drejtësi, e bën qeverinë Haradinaj rekordmene të ministrave të cilët kanë të ngritur aktakuza.

“Ngritja e aktakuzës ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë të cilët kishin shtënë me armë në odën e zëvendëskryeministrit Limaj është përmbushje e obligimit kushtetues dhe ligjor të Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Ngritja e aktakuzës në këtë rast pothuajse shënon edhe rekordin për numrin e ministrave me aktakuza në Qeverinë Haradinaj, që dëshmon se qeverisja Haradinaj para qytetarëve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar përçon mesazhin më të keq për një qeveri që synim primar ka sundimin e ligjit, qeverisjen me duar të pastra dhe të bazuar në llogaridhënie dhe përgjegjshmëri”

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala vlerëson se fushatat të cilat realizoheshin që të festohej pa armë, nuk kanë pasur efekt.

“Shpresojmë që kjo aktakuzë e ngritur të japë efektin e saj dhe kryesit e veprës penale të marrin dënimin konform legjistraturës në fuqi. Kosova edhe në të kaluarën ka hasur në këtë fenomen të festimit me armë të zjarrit në ahengje familjare. Institucionet ndërkombëtare dhe vendore që nga paslufta e deri këto ditë kanë aktivizuar fushata informuese rreth kësaj dukurie, por ato siç po shohet nuk kanë pasur efektin e duhur”

Pas publikimit të xhirimeve, kryeministri Ramush Haradinaj pati deklaruar se nuk është kiamet kjo punë. Kjo sipas tij është e lidhur me traditën e shqiptarëve.

Kujtojmë se në Qeverinë Mustafa, në momentin që prokuroria ngriti aktakuzë ndaj ministrit Ferid Agani, ky i fundit pati dhënë dorëheqje morale. Gjë të cilën nuk po e bëjnë ministrat e Haradinajt./GazetaTribuna