Qeveria rrit 4 përqind pagat dhe 20 përqind për rastet sociale

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Kosovës. Sipas këtij vendimi pagat rriten 4 përqind mbi pagën bazë, duke filluar nga 1 janari i këtij viti.

Ministri i Financave Bedri Hamza, tha se  rritja e pagave,  nga bëhet në përputhje me rritjen ekonomike.

Hamza: Kjo rritje bëhet në përputhje me rritjen ekonomike.

“ Kjo rritje prej 4 përqind bëhet në përputhje me rritjen ekonomike si dhe është e bazuar në Ligjin e Buxhetit për vitin 2018 dhe është brenda ndarjeve buxhetore. Gjithashtu bazohet dhe në Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr 03 për Menaxhimin e Financave Publike”, tha Hamza.

Këtë lajm kryeministri i Kosovës  Ramush Haradinaj e ka quajtur lajm të mirë për të gjithë.

Haradinaj: Është një lajm i mirë

“ Kuptohet këtu nuk bëjnë pjesë ne, unë kryeministri, ministrat. Pra ata që i kemi rrit më herët. Ky është një lajm i mirë besoj për të gjithë.  Kemi  pasur konsulta këto ditë me të gjitha sindikatat dhe jemi zotuar me ministrin që në çdo etapë, të përgatitjeve buxhetore, të rishikimit pra të mbajnë vëmendje tek rritja e pagave”, tha a Haradinaj.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim për rritje prej 20 përqind të skemave sociale, nga fillimi i këtij viti.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skënder Reçica,  tha se nga kjo rritje familjet do të përfitojnë nga 60 deri në 160 euro, varësisht prej anëtarëve të familjes.

Reçica: Rritje prej 20 për qind e skemës sociale.

“Përkundër lëvizjes së çmimeve të disa artikujve në kuadër të shportës së ushqimit,  shuma e ndihmës sociale, s’ka pasur ngritje që nga viti 2015 dhe nuk është harmonizuar me indeksin e çmimeve. Bazuar në hulumtimet dhe analizat e lëvizjes së çmimeve dhe harmonizimit me çmimet e shportës së ushqimit. Propozojmë që rritja e ndihmës sociale për çdo familje të jetë 20 për qind e vlerës aktuale të ndihmës sociale dhe të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2018. Me këtë propozim do të rritet vlera e pikës nga 1.25 euro në 1.50 euro, që rezulton se familjet do të përfitojnë  ndihmë sociale nga 60 deri 180 euro bazuar në numrin e anëtarëve të familjes”, tha Reçica.

 

Gjatë kësaj mbledhje Qeveria emëroi Avni Arifin, shef të negociatave me Serbinë. Arifi është këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj. Kryeministri Haradinaj tha se  zyrtarë të lartë të BE-së, kanë kërkuar që Kosova ta emërojë një shef të negociatave.

Haradinaj: Avni Arifi shef i negociatave me Serbinë

” Dialogu politik përfaqësohet nga presidenti Thaçi. Njëkohësisht ekziston një nivel i negocimit që e ka udhëheq  Edita Tahiri. Tani kemi ardhur ne një fazë të ndjeshme ndoshta finale te dialogut. Nga institucionet e BE-së, në këtë rast nga Mogherini  dhe nga instanca tjera,  është  kërkuar nga Qeveria e vendit të emëroj një shef të negociatave nga qeveria. I  cili do të ishte në gjendje me përcjell materien. Edhe pas konsultave që kam bërë me vendim marrësit politik, në këtë rast dhe me presidentin dhe me krye parlamentarin dhe me kolegë të tjerë. Përkundër faktit që kolegu  Avni Arifi,  që është shef i stafit në Qeveri ka plot detyra, kemi ardhur ne dakordim që Qeveria e Kosovës,  ta emërojmë  shef të negociatave. Pra qeveria e emëron shefin e negociatave të jetë  Avni Arifi”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka ndarë mbi 45 mijë euro për komunën e Gjilanit për mbulimin e shpenzimeve për manifestimin “Flaka e Janarit”. Qeveria po ashtu ka miratuar propozim vendimin për miratimin e buxhetit për vitin 2018 për komunën e Lipjanit në vlerë prej 15 milionë e 631 mijë e 989  euro, duke përfshirë dhe rritjen për 4 përqind të pagave.  Qeveria ka ndarë mjete  në vlerë prej 65 mijë euro, për strehimoret për viktimat e dhunës në familje