Qeveria ndan 2.6 milionë euro për orët shtesë të policisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë 2 milionë e 600 mijë euro për kompensimin e punës jashtë orarit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se policia e vendit nuk guxon në asnjë mënyrë të mbetet pa u paguar.

Ai ka treguar se kohë më parë kishin përmbyllur një pjesë të obligimeve, ndërsa me vendimin e sotëm është mbyllur ‘llogaria’ ndërmjet tyre.

 

“Sot ndër të tjera kemi arritur të përmbyllim një çështje që ka qenë gjatë për diskutim, çështja e orëve shtesë për Policinë e Kosovës. Është e dhimbshme që policët e Kosovës lëre që s’kanë ligj për sigurinë, për pension, por s’kanë edhe të drejta tjera. Merreni me mend, atyre u është kërkuar punë shtesë, por nuk iu është paguar. Me sot është 0-0 llogaria, nuk i kemi borxh njëri-tjetrit”, tha ai.

Sipas tij, ‘në këtë mënyrë populli është nderuar para policëve të vet, në mënyrë që edhe Policia e Kosovës e kupton se i ka borxh popullit t’i shërbejë sipas ligjit’.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2018 të Qeverisë së Republikës të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, Propozim-vendimi për caktimin e lartësisë së kompensimit të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës, Propozim-Vendimi për furnizimin me armë të shërbimit korrektues të Kosovës.