Pse është shumë e rëndësishme për shtetin të dihet kush janë veteranët e vërtetë?

Lista e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një prej skandaleve më të mëdha në Kosovë. Fryrja tej mase e tyre, me njerëz që nuk kanë qenë pjesë e luftës, ka ngjallur shumë reagime dhe një proces hetimor nga sistemi i drejtësisë.

Së fundi, madje, një prej themeluesve dhe prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, tani Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe i PDK-së, ka nisur një iniciativë për hetimin e kësaj çështjeje nga një Komision Hetimor Parlamentar.

Gjithsesi, nga analizat financiare dhe politike të skemës pensionale të veteranëve, ka një pyetje themelore: Pse është shumë e rëndësishme për shtetin ta dimë cilët janë veteranët e vërtetë?

Para së gjithash, duhet ditur se si ka filluar dhe si është zhvilluar e gjithë situata dhe kush janë ata që punuan në gjithë këtë mesele.

Ligji për Veteranet filloi së gjeturi zbatim në vitin 2015. Kjo ishte koha kur Qeveria e kaluar, e drejtuar nga Isa Mustafa, mori vendim që të fillojë me dhënien e pensioneve për veteranet, pa e mbyllur listën e tyre.

Në muajt e parë të vitit 2016, kur filluan me pensionet e para, ishte një numër shumë më i ulët sesa është sot, që sillej nga 15.000 deri 22.0000 veteranë.

Kjo i bie që veteranët e vërtetë, ata që kanë marrë pjesë në luftë, kanë aplikuar me kohë për ta marrë statusin e veteranit. Por, numri u rrit dukshëm kur Ramush Haradinaj mori drejtimin e Qeverisë. Me një shpejtësi të madhe, lista u fry dhe numri i veteranëve u shumëfishua. Tani, ajo ka rreth 38.000 veteranë. Ky numër, jo vetëm që ka dëmtuar reputacionin e veteranit dhe emrin e UÇK-së, por ka dëmtuar edhe buxhetin e shtetit.

Derisa ka filluar me një kosto prej 2.5 milionë euro për muaj, tani ka arritur në 6.2 milionë euro. Kjo do të thotë se 150 % është rritur pagesa që nga muaji janar 2016 deri në janar 2019.

Sikur Qeveria, por edhe organet e zbatimit te ligjit, policia, prokuroria dhe gjykatat, të ishin më efikase dhe të vepronin me përgjegjësi kundrejt këtij procesi, kursimet do të ishin enorme. Kursimet do të ishin deri në 30 milionë euro në vit, një shumë jo e vogël për buxhetin e shtetit.

Një buxhet i tillë, që ndahet pa meritë për njerëz që nuk kanë qenë në UÇK, por kanë mashtruar, do të ishte tepër i dobishëm nëse do të investoheshin në edukim, shëndetësi, ose bujqësi. Është një fakt i ditur se qytetarët kanë shumë nevojë të kenë shërbime të arsimit shumë më kualitative dhe një mjekësi shumë më të mirë sesa që është sot.

Për gjithë këtë çfarë ka ndodhur me listat e veteranëve, faj kanë shumë persona. Por, kush e nisi keq? Qeveria e Isa Mustafës ishte ajo që e nisi me devijime.

Komisioni ose Zyra për Certifikimin e Veteranëve ishte në zyre të ish-Kryeministrit Mustafa, Ministri i Financave i asaj kohe, Avdullah Hoti, dhe Arban Abrashi, si Ministër i Punës dhe Mirëqenës Sociale, aprovuan dhënien e pensioneve pa i mbyllur listat e veteranëve. Pra, pa bazë ligjore. Keq po e vazhdon edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili me Ligjin për Veteranet është i obliguar për ta bërë klasifikimin e veteranëve në tri kategori dhe më pas duhet ta mbyllë listën e veteraneve, duke e bërë kështu edhe prerjen e lidhjes së pagës minimale me pensionin e veteranit.

Duke qenë se lista është ende e hapur për plotësime, sepse nuk ka kategorizim, kjo shton rrezikun real që ajo të fryhet edhe më tutje. Rritja e listës së veteranëve do të thotë edhe rritje e buxhetit të shtetit për këtë skemë sociale.

Mbetet të shihet nëse partitë opozitare dhe ato të koalicionit do ta përkrahin nismën e Kadri Veselit.

Një situatë interesante do të jetë qasja e Ramush Haradinajt, i cili pat kundërshtuar ata që kritikonin listat e fryra të veteranëve. Ai, madje, thoshte se në Dukagjin, në zonën e tij, kanë luftuar të gjithë, duke e arsyetuar kështu në njëfarë mënyre fryrjen e listave.

Gjithashtu, do të jetë tejet e rëndësishme, nëse edhe sistemi i drejtësisë, prokuroria dhe gjykatat, do të arrijnë të definojnë saktë numrin e veteranëve dhe numrin e atyre që kanë mashtruar.