Prokurori tregon dënimin për dy vëllezërit që vranë hajnin në Shtime

Dy vëllezërit nga Shtimja që vranë një nga hajnat, të cilët sulmuan shtëpitë e tyre të armatosur u është caktuar ndalesa prej 48- orësh në burg.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, ka konfirmuar se dy vëllezërve u është shqiptuar ndalesa prej 48- orësh në burg.

“Pronarëve të shtëpisë u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48- orëve”, ka thanë Jashari.

Ndryshe, majori i PK-së, Mehmetali Hajdini për Indeksonline ka dhënë detaje nga rasti.

“Rreth orës 3 e 30 është njoftuar Policia që ka të shtëna në lagje dhe përleshje mes disa personave. Në vendngjarje ka shkuar Policia dhe ka marrë informacione, ku dyshohet se tre a katër persona janë futur në shtëpi me qëllim dyshohet për grabitje. Aty në shtëpi e kanë takuar pronarin e shtëpisë, rastësisht dhe është ballafaquar me të, duke e plagosur me armë pronarin në këmbë. Pastaj, pronari bashkë me të vëllain i kanë ndjekur të dyshuarit, grabitësit, dhe njërin nga grabitësit, njëri prej tyre e ka vra me mjete të forta. Grabitësi nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve, dhe ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes, derisa trupin e kanë dërguar për obduksion”, ka thënë Hajdini.

Ai ka shtuar se gjendja shëndetësore e të plagosurit është jashtë rrezikut për jetë.

“I plagosuri është në QKUK për tretman mjekësor dhe gjendja është stabile, jashtë rrezikut për jetë. Vllau në cilësinë e të dyshuarit e kanë arrestuar, pasi që ka përdorë mjetë të forta e ka goditur për vdekje grabitësin. Me urdhrin e Prokurorit, ai është arrestuar. Tani jemi në fazën e hetimeve”.

Ende nuk dihet identiteti i grabitësit të vrarë, ndërsa të tjerë që ishin më të, kanë arritur të arratisën.

Policia ka mbledhur dëshmi dhe është duke bërë hetime të nevojshme përkitazi me rastin.