Prekëse: Dy djemtë i janë diagnostifikuar me epilepsi, nëna nga Gjilani kërkon ndihmë

Nuk janë të pakta rastet që përmes rrjeteve sociale, në pamundësi të kushteve ekonomike, qytetarët e vendit tonë kërkojnë ndihmë për më të dashurit e tyre.

Edhe Hanumshahe Pajaziti nga Gjilani, është detyruar ta shtri dorën dhe të bëj apel për ndihmë, pasi që dy djemtë e saj, janë diagnostifikuar me epilepsi.

Pajaziti thotë për Indeksonline se nuk ka qenë aspak e lehtë për të si nënë, përgjatë këtyre viteve të kujdeset për djemtë e saj, të cilëve çdo ditë e më shumë iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore, pavarësisht që gjatë gjithë kohës kanë qenë me terapi.

“Djemtë e mi nuk kanë lindur me epilepsi. Pas dy muajve Emini që tani është 13 vjet, kanë fillu me ju shfaq sëmundja, këtë e ka konstatu edhe psikologia. Ndërsa, Erminit pas gjashtë javësh që ka lind i është shfaqur sëmundja. Për mu si nënë ka qenë shumë e vështirë të përballohet. Kanë kërku të bëhen edhe analizat gjenetike, por më kanë thënë se ato nuk kryhen në vendin tonë, por jashtë.

Ajo ka thënë se ia ka rregullu pasaportat, pasi që doktorët i kanë thënë se ata mund të shërohen në Francë, prandaj kërkon ndihmë.

“I kam dërguar kudo në Kosovë, por pas kontrollave të shumta, një neurolog dhe psikiatër më kanë thënë që djemtë kanë shërim jashtë vendit. Unë nëse jep dikush veç nga 1 euro, iu kisha lut dhe menjëherë i kisha dërgu në Francë për shërim”.

Pajaziti ka edhe një vajzë më të vogël, por që fatmirësisht ajo nuk e ka këtë sëmundje. Derisa shton se dy djemtë e saj janë detyruar ta ndërprejnë edhe mësimin për shkak se nuk po ndjehen mirë.