Politikanët po shihen në teren, zgjedhjet janë afër

Partitë politike parlamentare në Kosovë, në pjesë e dytë të muajit janar kanë shtuar aktivitetet e tyre në disa nga degët në qytetet e Kosovës.
Në këtë drejtim, shumë aktive janë duke u treguar dy partitë në koalicion PDK e LDK, por edhe partitë opozitare kanë rritur aktivitetet brenda partiake.

Këto takime, sipas analistëve politikë, janë sinjale për përgatitje të zgjedhjeve të reja.

Për Nexhmedin Spahiun analist politikë, këto takime janë përgatitje për zgjedhje, pasi tash vendi është në prag të zgjedhjes së Presidentit dhe, dështimi i tij, do të dërgonte, sipas tij, vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kandidati i vetëm deri më tani për postin e Presidentit është Hashim Thaçi, por sipas Spahiut, edhe zgjidhja eventuale e tij në këtë, vendin mund ta dërgojë në zgjedhje bashkëpartiaku i Thaçit, Kadri Veseli, pasi ta merr drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, raporton lajmi.net.

“Këto takime të partive politike janë përgatitje për zgjedhje, për shkakun se tani është koha e zgjedhjes së Presidentit dhe nëse nuk zgjedhet Thaçi president, natyrisht që vendi pa tjetër shkon në zgjedhje”.

“Po edhe nëse Thaçi zgjedhet president, kur Kadri Veseli të marr drejtimin Partisë Demokratike të Kosovës, sigurisht që do të jetë i interesuar që ta sprovojë veten dhe të dërgojë vendin në zgjedhje për tu bërë kryeministër”, ka thënë Spahiu.

Por, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, në këtë kohë, sipas analistit Spahiu, më së paku do t’i konvenonte Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, zgjedhjet do të mund ti fitojnë paritë opozitare nëse nuk përçahen dhe shkojnë në një listë të përbashkët, në të kundërtën Spahiu vlerëson së PDK do të fitonte.

“Mendojë që vetëm LDK nuk është e gatshme për zgjedhje, dhe ajo do të ishte humbësi më i madh në këto zgjedhje, duke marr parasysh krejt atë çfarë ka ndodhe brenda LDK-së”.

Nëse blloku opozitar do të dilte më një listë të përbashkët është fituese, por në rast se Opozita përçahet atëherë PDK është fituese, ka vlerësuar Spahiu.

Se partitë politike janë duke u përgatitur për zgjedhje të jashtëzakonshme e thotë edhe analisti Belul Beqaj.

“Pushtetarët aktual janë aq shumë të pasionuar me pushtet sa që nuk dëshirojnë t’ia lëshojnë rastit asnjë situatë. Në njërën anë, po bëjnë çmos për të shtyrë atë që nuk mund të shtyhet – largimi nga pushteti, në anën tjetër, po përgatiten që të mbeten në pushtet duke mobilizuar anëtarësinë dhe simpatizuesit”, ka thënë ai.

Beqaj vlerëson se zgjedhjet në këtë situatë nuk janë zgjidhja e duhur për shkak se, siç vlerëson ai, të kundërthënieve ekzistuese të cilat mund të përshkallëzohen gjatë fushatës dhe pas saj duke sjell Kosovën në situata të ngjashme, nëse jo edhe më të keqe, se këto që i kemi përjetuar deri më tashti.