Policia mbyll në Deçan një lokal të lojërave të fatit

Policia e Kosovës njofton se gjatë një kontrolli ka hasur në një lokal që kishte ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit.

Sipas policisë, ky lokal nuk kishte as leje apo mbishkrim për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës.

Me datën 14 korrik 2019, duke filluar nga ora 01:00, në zonën e Deçanit, Policia ka zbatuar planin operativ të koduar ‘Kontrollimi i lokaleve 2019’.

Stacioni policor në Deçan së bashku me inspektorët komunal ka verifikuar disa lokale në Komunën e Deçanit, gjatë kontrollimit është hasur në një lokal i cili nuk kishte leje e as mbishkrim, në këtë lokal janë hasur 5-(pesë) aparate të lojërave të fatit duke funksionuar dhe një numër i konsideruar i formave rrumbullake të plastikës që shërbejnë për lojën e bixhozit.

Aparatet për lojërat e fatit janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës ndërsa të dyshuarit me urdhër të prokurorit të shtetit i caktohet masa e ndalimit prej 48-orësh.

Gjate këtij aktiviteti nga inspektoret komunal është mbyllur 1-(një) lokal për arsye se i njëjti nuk posedonte leje përkatëse pune.

Gjithashtu policia ka verifikuar edhe 9- (nëntë), persona të gjinisë femërore të cilat ishin duke shërbyer ne atë lokal, të njëjtave iu janë sekuestruar dokumentet personale dhe në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, të njëjtat procedohen nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe të Migracionit.

Në këtë plan kanë qenë të përfshirë Stacioni Policor në Deçan dhe inspektorët komunal të komunës së Deçanit, të përkrahur nga Dogana e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë.