Policia e Kosovës arreston dy persona, hakuan kartela bankare

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘Keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit’ si dhe ‘Hyrje në sistem kompjuterik’.

Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar – Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operacionale ka arrestuar dy persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale neni 301 – ‘keqpërdorim i kartelave bankare dhe të kreditit’ dhe neni 327 – ‘hyrje në sistem kompjuterik’.

Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit me veprime të paligjshme përmes kompjuterëve kanë arritur të marrin në posedim të dhëna të shumta personale përfshirë kartela bankare, e-mail adresa dhe fjalëkalime dhe pastaj në bashkëveprim me njëri-tjetrin përmes këtyre të dhënave dhe kartelave bankare të klonuara kanë blerë online mallra të ndryshme, shkruan lajmi.net.

Dy të dyshuarit janë kapur në flagrancë me mallin e blerë dhe pastaj janë arrestuar.

Po ashtu është kontrolluar një lokacion dhe në cilësinë e provave janë sekuestruar:

– Tre kompjuterë llaptop;

– Një shtëpizë kompjuteri;

– Një hard-disk;

– Tre USB memorje;

– Dy telefona mobil;

– Kartela të ndryshme krediti;

– Mallrat e blera;

– Dokumentacion relevant që dëshmojnë blerjet dhe transaksione të parave.

Me aktvendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje.