Policia arreston grupin prej pesë personave për vjedhje të 36 mijë eurove në Ferizaj

Policia e Kosovës dje ka arrestuar grupin prej pesë persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Ferizaj.

Pas hetimeve intensive, hetuesit policor të sektorit rajonal të hetimeve Ferizaj ,kanë arritur që të identifikojnë pesë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së rëndë”, rast ky i ndodhur me datë 03.11.2019 në fshatin Sazli të Ferizajit.

Hetuesit policor gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, kanë siguruar prova të mjaftueshme lidhur me kryerjen e kësaj vepre penale.

Të dyshuarit, A.XH. (m/sh/k 19 vjeç), A.M. (m/sh/k 16 vjeç), I.M. (m/sh/k 30 vjeç ) , A.TH. (m/sh/k 24 vjeç) dhe A.TH. (f/sh/k/ 30 vjeçare, më datën 03.11.2019,në bashkëveprim, me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e viktimës A.M. nga ku kanë vjedhur 36.000 euro dhe stoli ari në vlerë 8.000 euro.

Gjatë hetimeve është gjetur një sasi e të hollave të vjedhura,të cilat i kishin ndarë mes veti, si dhe të dyshuarit kanë pranuar se stolitë e arit i kanë shitur.

Gjatë intervistimit dhe në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit kanë pranuar në tërësi veprën e kryer.

Ndaj katër të dyshuarve, në konsultim me prokurorin e shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë,ndërsa ndaj të dyshuarit të mitur 24 orë.