“Po përgatitemi për hapat e mëdhenj e vendimtarë”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se AAK do të gjejë rrugën për të tejkaluar vështirësitë e mëdha që po shkaktohen nga qeverisja e dobët.

Në 15 vjetorin e themelimit të AAK-së,Haradinaj thotë se do të gjejë rrugën për të realizuar vullnetin e qytetarëve për jetë të dinjitetshme, begati, shtet ligjor, zhvillim ekonomik dhe integrim euro-atlantik.

Ai në një opinion dërguar mediave, ka shkruar se 15 vjet janë bërë që nga themelimi i Aleancës. “Angazhimi i subjektit tonë partiak ka qenë përcaktues në shumë prej proceseve historike të Kosovës. Në krijimin e institucioneve të para demokratike, në funksionalizimin e qeverisjes, në pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin e debatit publik”, ka thënë Haradinaj.

Opinoni i plotë:

Ne, që e duam Kosovën, nuk mund të qëndrojmë mënjanë kur atdheu ynë përballet me vështirësi. Do të gjejmë rrugën për të tejkaluar vështirësitë e mëdha që po shkaktohen nga qeverisja e dobët. Do të gjejmë rrugën për të realizuar vullnetin e qytetarëve për jetë të dinjitetshme, begati, shtet ligjor, zhvillim ekonomik dhe integrim euro-atlantik. 15 vjet të Aleancës janë 15 vjet përkushtim, qëndrueshmëri dhe zhvillim.

Nuk jemi këtu për veten. As nuk jemi themeluar për qëllime episodike. Vizioni ynë është afatgjatë. Qëndrimi ynë është i paluhatshëm. Angazhimi ynë është mosnënshtrimi ndaj të keqes. Për 15 vjet, që nga themelimi, Aleanca ka dëshmuar këtë. Ashtu sikurse shoqëria dhe qytetarët e Kosovës nuk janë nënshtruar kurrë. I kemi kaluar shumë sfida e vështirësi deri më tash. Kemi qëndruar të palëkundur në besimin tonë, në idealet dhe vizionin tonë për shtetin, demokracinë, lirinë dhe integrimin në botën demokratike perëndimore.

Ktheje shpresën! Mos u nënshtro!

Po përgatitemi për hapat e mëdhenj e vendimtarë për të ardhmen demokratike të Kosovës. Jemi bashkuar shumë njerëz vullnetmirë, profesionistë, atdhetarë e të përkushtuar. Ne, që e duam Kosovën. Ne, që nuk mund të qëndrojmë mënjanë kur atdheu ynë përballet me vështirësi.

Jemi bashkuar nga të gjitha kategoritë e shoqërisë sonë, të gatshëm për të kaluar në stadin më të rëndësishëm të shtetit tonë: demokratizimin, zhvillimin ekonomik, shtetin ligjor dhe integrimet në NATO e BE. Dhe, ky është stadi për të cilin shteti dhe shoqëria jonë ka domosdoshmëri.

15 vjet janë bërë që nga themelimi i Aleancës. Angazhimi i subjektit tonë partiak ka qenë përcaktues në shumë prej proceseve historike të Kosovës. Në krijimin e instiucioneve të para demokratike, në funksionalizimin e qeverisjes, në pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimin e debatit publik.

Janë të shumtë aktivistët, strukturat, udhëheqësit dhe mbështetësit që kanë kontribuar në vazhdimësi për Aleancën. Që kanë gjetur dhe gjejnë derën e hapur në Aleancë. Të gjithë kanë respektin dhe mirënjohjen nga ne. Urimet për 15 vjetorin e themelimit të Aleancës kanë mesazhin e përkushtimit të mëtutjeshëm për shtetin tonë.
Standardi që ka vendosur Aleanca në skenën politike është standard i qëndrueshmërisë, parimeve, përmbajtjes, angazhimit qytetar, përfaqësimit të pakompromis, shërbimit ndaj interesave kombëtare dhe llogaridhënies demokratike.

Edhe sot, sikurse edhe në të ardhmen tonë politike, jemi të përkushtuar në demokratizimin e shoqërisë, funksionalizimin e institucioneve shtetërore, zhvillimin e iniciativës së lirë, zhvillimin ekonomik, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe përkatësinë tonë perëndimore. Aleanca, asnjëherë deri më sot, nuk e ka parë ekzistimin e vet për kalkulim të ditës. As për interesa të ngushtë.

Do të vazhdojmë më fuqishëm në javët, muajt, vitet e dekadat që vijnë. Aleanca do të jetë këtu, e fuqishme, e konsoliduar, në shërbim të interesit qytetar dhe kombëtar. Edhe atëherë kur shumë prej nesh nuk do të jemi aktiv në politikë dhe gjeneratat do të ndërrohen në vazhdimësi, Aleanca do të jetë subjekt politik i rëndësishëm dhe vendimmarrës në Kosovë. Sepse, e kemi të qartë rrugëtimin tonë, qëndrueshmërinë tonë dhe të ardhmen e shtetin tonë.

Në shërbim të ndryshimit të madh!

Sot, shteti ynë është keq. Është kapur nga e keqja. Koalicioni i tashëm qeverisës synon ta betonojë kapjen e shtetit. Për këtë po angazhohen tërë kohën. Porse, shoqëria kosovare do të gjejë forcën bashkuese dhe të angazhohet për të nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje. Nuk do të lejohet vazhdimësia e së keqes.

Nuk do të mbetemi kështu, si shtet dhe shoqëri. Ne, të gjithë, do të gjejmë rrugën për të tejkaluar vështirësitë e mëdha që po shkaktohen nga faktori njeri në qeverisjen e sotme. Do të gjejmë rrugën për të realizuar vullnetin e qytetarëve për jetë të dinjitetshme, begati, shtet ligjor dhe integrim euro-atlantik.
Ne vihemi në shërbim të këtij qëllimi dhe jemi të përkushtuar për të bashkëpunuar me të gjitha forcat shoqërore që besojnë në këtë qëllim.

Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë miq. E kemi obligim ndaj gjeneratave të reja që Kosovën ta bëjmë anëtare të plotë të botës demokratike. Ne do të thellojmë miqësinë me SHBA-të, si partner strategjik, me të cilin është e ndërlidhur liria dhe ardhmëria jonë. Do të punojmë, po ashtu, pandërprerë që Kosova të anëtarësohet në NATO.

Kosova është larg plotësimit të kritereve për anëtarësim në BE. Nuk e di kur kjo do të ndodh, por ne e kemi obligim që ta bëjmë Kosovën të gatshme për këtë. Nuk është më e rëndësishme kur Kosova hyn në BE, por kur Kosova ndërton standardin jetësor të ngjashëm me vendet e BE-së.

Kjo nënkupton se anëtarësimi në BE varet nga ne. Askush tjetër, pos Kosovës, nuk është përgjegjës për anëtarësimin tonë atje. Veç puna jonë. Fatkeqësisht jemi larg këtij qëllimi. Fatkeqësisht, qytetarët po jetojnë keq çdo ditë dhe pushtetarët po pasurohen çdo ditë.

Në vazhdimësi gjatë këtyre muajve, mijëra të rinj dhe familje të tëra ose ikin nga Kosova ose planifikojnë të ikin. Sepse, shpresa është zbehur. Sepse, pushtetarët e tashëm janë të pashpresë.

Porse, mund të kthejmë shpresën e qytetarit, duke ndalur qeverisjen e këtillë. Tek e fundit, kjo nuk është Kosova për të cilën kanë ëndrruar gjenerata të tëra. Ne, të gjithë bashkë, duhet ta bëjmë dallimin përmbajtjesor. Ne nuk duhet të kemi asgjë të përbashkët me këdo që i kontribuon kësaj gjendje.

Platforma jonë programore dallon nga të tjerët. Problemet esenciale të Kosovës janë mungesa e sundimit të ligjit dhe zhvillimit i ulët ekonomik. Të dy këto procese, në fakt të ndërlidhura mes vete, kanë pasur ndikim tejet negativ në cilëndo sferë tjetër të jetës në Kosovë. Dhe, këto duhet të adresohen.

Qeverisja në shkuarje nuk i ka dhënë as shenjat më elementare se kanë synim ta bëjnë një gjë të tillë. Prandaj, edhe do të përfundojnë shpejt!

RH