Persona që kanë punuar ilegalisht në kabllo elektrike shkaktar të zjarrit në një banesë

Policia njofton se sot rreth orës 15:30, ka marrë informatën se në rrugën “ Rrustem Statovci” në Prishtinë, është duke dalë tym prej dy objekteve.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore, zjarrfikësit si dhe ekipet mjekësore.

Pas evakuimit të banorëve, policia bashkërisht edhe me faktorët e tjerë relevant po punojnë me intensitet të shtuar për të sqaruar të gjitha rrethanat nën të cilat ka ndodhur rasti.

Mbështetur në rezultatet e para të hetimit si dhe të atyre të ekzaminimit të vendngjarjes është ngritur dyshimi e bazuar se tymi mund të jetë shkaktuar nga faktori njeri, saktësisht nga persona të dyshuar që në mënyrë ilegale kanë qenë duke punuar në kabllo elektrike dhe njehësorët e rrymës, të cilat janë të vendosura në ndërtesat në fjalë.

Gjë për të cilën policia ka shoqëruar në stacion policor një person të dyshuar.

Në këtë rast pasoja në njerëz nuk ka pasur, janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale.