Përplaset diplomacia kosovare, Organizata e Bashkuar Islamike “mollë” sherri në MPJ (VIDEO)

Më shumë se 14 orë udhëtim bëri ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli për të shkuar nga Kosova në Bangladesh, për të lobuar që vendi të pranohet në Organizatën e Bashkuar Islamike.

Por, përkundër këtij “mundi” të Pacollit, vartësi i tij Gjergj Dedaj po e vlerëson si shumë të dëmshme anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Në një përgjigje për televizionin Dedaj thekson se do të japë dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij, nëse Kosova anëtarësohet në këtë organizatë.

“Unë ju qëndroj prapa të gjitha deklarimeve që i kam thënë publikisht. Nuk është ky qëndrim në baza fetare. Kosova nuk duhet të anëtarësohet në organizata të tilla islamike, por duhet të synojë anëtarësimin në NATO, OKB dhe në organizata të tjera evropiane e botërore. Nëse Kosova anëtarësohet në Organizatën e Bashkuar Islamike unë do të japë dorëheqje të parevokuar. Para se të marrë vendime të tilla ministri Pacolli, ai duhet të konsultohet me kabinetin e tij, Qeverinë dhe Kuvendin”.

E për Artan Muratin nga KDI ky konflikt mes Pacollit e Dedajt shpërfaqë mungesën e strategjisë së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Ky konflikt mes Pacollit dhe Dedajt e shpërfaq edhe një herë mungesën e një qasje shtetërore sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Problemi më shqetësues këtu është se Kosova nuk e ka një strategji të qartë dhe një qasje të qartë se në cilat organizata synon të anëtarësohet dhe se kush flet në emër të Kosovës”

Murati shton se situata të tilla e degradojnë procesin e fuqizimit të sovranitetit shtetëror të Kosovës.

“Nëse këso probleme hasim në ministrinë e punëve të jashtme, çfarë mesazhe mund të përçojmë tek shtetet që ne synojmë të na njohin dhe këto janë krejtësisht të panevojshme në mënyrën se si po sillen këta politikanë. Kjo nuk ndodhë vetëm në ministrinë e punëve të jashtme është një fenomen që ndodhë edhe në ministritë e tjera dhe faktikisht kjo vetëm sa do të na pengojë në njohjen e shtetësisë së Kosovës”

Zëvendësministri Dedaj disa herë ka thumbuar nga distanca shefin e tij Behgjet Pacolli.

Si i ftuar para pak kohësh në emisionin Fakt Plus në Tribuna Channel, përveç shumë problemeve Dedaj pati theksuar se ai asnjëherë nuk ftohet ta zëvendësojë Pacollin, kur ky i fundit mungon në mbledhjet e Qeverisë.