Përmbytjet, situata në Shkodër drejt përmirësimit

Pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit, situata në fshatrat e ultësirës së Nën Shkodrës po shkon drejt përmirësimit.

Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i qarkut të Shkodrës, Çesk Millja thotë se sot situata po shkon drejt normalizimit.

Sipërfaqja e përmbytur në Obot dhe Dajç ka rënë, vetëm gjatë pjesë së parë të ditës me 30%, ndërsa edhe prurjet natyrale të liqenit janë në rënie.

“Nga 2300 hektarë të përmbytura një ditë më parë në mesditën e sotme llogariten vetëm 1800 hektarë të përmbytura”, tha Millja.

Më tej, ai informoi se shkarkimet në basenin e lumit Drin janë zero.

“Kemi vetëm prurje natyrale që vijnë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, i cili po punon me kapacatitet të plotë dhe këto prurje llogariten rreth 550 metër kub për sekondë”, tha Millja.