Përfundoi gjykimi ndaj dhjetë ish-inspektorëve të Prishtinës, aktgjykimi javën tjetër

Ka përfunduar gjykimi ndaj dhjetë ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe ndaj pronarit të “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu, i akuzuar për falsifikim.

Prokurorja Drita Hajdari, kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, pasi që në bazë të provave dhe dëshmitarëve, sipas saj, është vërtetuar se të njëjtit, të organizuar në grup kriminal, kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas prokurores Hajdari, i gjithë qyteti i Prishtinës ka kaluar në një gjendje kaosi nga ndërtimet e tepërta e pa leje të cilat, sipas saj, i kishin lejuar të ndërtoheshin, inspektorët e akuzuar.

“Mund të shihet se sa dallon kryeqyteti jonë nga të tjerët me ndërtime dhe se nga gjithë kjo po dëmtohen e janë dëmtuar të gjithë qytetaret e Komunës së Prishtinës”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ajo tha se edhe pasuria e cila iu është gjetur të akuzuarve Ismet Haliti, Mërgim Shala dhe Skender Canollit, ishte pasuri që nuk përputhej me të hyrat që ata i kishin realizuar nga puna e tyre si inspektorë ndërtimi.

Andaj, Hajdari kërkoi nga gjykata që disa vetura dhe para të Ismet Halitit e Skender Canollit të konfiskoheshin, ndërsa kërkoi që banesa edhe të cilën e posedon i akuzuari Mërgim Shala, po ashtu të konfiskohet.

Prokurorja deklaroi se shefi i sektorit Ismet Haliti dhe inspektorët e ndërtimit, nuk i kishin përfillur detyrat e tyre zyrtare dhe se puna apo përgjegjësia e tyre lidhur me një objekt nuk duhej të mbaronte me nxjerrjen e një vendimi, por sipas saj, duhej të shkonte deri në ekzekutim të tij.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi, tha se prokuroria nuk i ka bazuar provat dhe spekulimet e saj në mënyrë të duhur dhe kërkoi që akuza ndaj klientit të tij, të hudhet poshtë.

“Ajo që ma ka shqetësuar është se prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të bej rolin e hetueses dhe ju me gjithë respektin e keni bërë këtë rol, arrestimet e të pandehurve në orët e hershme të mëngjesit me prani të mediave ishin spektakle për të cilat nuk kishte nevojë”, tha Krasniqi.

Avokati Veton Nrecaj, mbrojtës i ish-ekzekutuesit Skender Canolli, po ashtu deklaroi se në bazë të shqyrtimeve gjyqësore, i mbrojturi i tij, e kishte pranuar fajin për veprën penale të armëmbajtjes, ndërsa sa i përket veprës penale të krimit të organizuar dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare, sipas tij, duke u mbështetur në provat materiale nuk ishte vërtetuar në asnjë rast aktakuza, për të cilën ngarkohet klienti i tij.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, i kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, të cilat i kishin përgatitur me shkrim, por që të njëjtat i kanë elaboruar në shqyrtimin e së enjtes.

Sipas mbrojtësve, Skender Musa, Ali Beka, Gafurr Elshani, Emrush Kastrati, Ramë Gashi, Destan Rukiqi dhe Nikë Shala, prokuroria ka dështuar të vërtetojë se akuzat ndaj klientëve të tyre, janë të bazuara pasi që siç kanë thënë ata, inspektorët vetëm kanë kryer detyrën e tyre.

Ndërsa, avokati Ibrahim Dobruna, mbrojtës i të akuzuarit Qemajl Pozhegu, tha se padrejtësisht po akuzohet për falsifikim të dokumentit, pasi që i mbrojturi i tij, siç ka thënë Dobruna, është njeri i respektuar në fushën e ndërmarrësisë.

Pas dhënies së fjalës përfundimtare, gjykatësi Beqir Kalludra, ka njoftuar palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet javën e ardhshme dhe jo brenda afatit ligjor prej tre ditësh, për shkak të sipas tij, kompleksitetit të lëndës.

Shpallja për këtë rast pritet të bëhet më 19 prill 2018 duke filluar nga ora 09:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) pretendon se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.