Përfaqësuesi i Beni-Dona mohon që në kifle kishte mi të ngordhur

Pas skandalit me shujtat e nxënësve në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë ku është gjetur një mi i ngordhur, Komuna e Prishtinës ia ka shkëputur menjëherë kontratën kompanisë “Beni-Dona”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendësdrejtorit të prokurimit në kompaninë “Beni-Dona”, Fadil Paqarada i cili ka thënë se nuk qëndrojnë deklaratat e Komunës së Prishtinës.

“Malli i cili është pranua dje më 15.04.2015 është pranuar në mënyrë të rregullt të cilin e vërtetojmë edhe në fletë-dërgesën të cilën ne e posedojmë. Në fund të fletë-dërgesës shkruhen të gjitha elementet se malli është në rregull dhe nuk ka asnjë problem”, tha ai.

Paqarada tha se është e pa mundur që miu i ngordhur të jetë gjetur në mallin e tyre, transmeton Kallxo.com.

“Në lidhje me miun e ngordhur që e përdorin ata që është gjetur në një kuti, ajo është e pamundur, sepse kiflet janë të paluara një nga një, me dorë. E kush e ka fut atë mi aty, për çfarë qëllimesh sigurisht që po dihet se edhe deklaratat e zyrtarëve të komunës të cilat pak më parë i lexova edhe në internet, thuhet që ka qenë Beni-Dona me pushtetin e kaluar, nuk qëndrojnë absolutisht”, shtoi ai.

Komuna e Prishtinës por edhe Kompania Beni-Dona kanë paralajmëruar padi ndaj njëra-tjetrës.

Ndërkaq, Kallxo.com ka tentuar të marr deklaratë edhe nga zyrtarë të shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, por ata nuk kanë dashur të deklarohen.