Përballë dështimeve – çnjohjet dhe anëtarësimi në OKB shkaktojnë kokëçarje në Kosovë

Prurja e njohjeve të reja të pavarësisë nga shumëkush po konsiderohet si njëri nga proceset e dështuara të mandatit të fundit qeverisës në Kosovë.

Në dy vitet e fundit, Kosova pranoi vetëm dy njohje të reja. Shteti i fundit që e kishte bërë një gjë të tillë në vitin e kaluar është Barbadosi, teksa para tij pavarësinë e Kosovës e kishte njohur edhe Madagaskari, shkruan lajmi.net.

E problem serioz në arenën ndërkombëtare për Kosovën tashmë është edhe tërheqja e njohjeve.

Nga Beogradi, tash e sa kohë po paralajmërojnë se numri i shteteve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të bije nën 100. Përveç Beogradit, paralajmërime të tilla po jepen edhe nga politikanë në Kosovë.

Të tilla pretendime po mohohen nga ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli për lajmi.net thotë se deklarata të tilla janë të pavërteta, dhe se sipas tij propaganda e Beogradit po përdoret për vota në Prishtinë.

“Jo që s’ka asgjë të vërtetë në këtë rrafsh, por e kemi parë edhe skandalin korruptiv të madh që ka shpërthy nëpër botë dhe që po i bëhet Serbisë presion që mos të veprojë siç ka vepruar deri tash. Kjo ka ndodh që me prodhuar ndonjë lajm në Serbi dhe fatkeqësisht në kohë zgjedhjesh në Kosovë”, thotë ai.

Madje sipas tij, lajmet e prodhuara nga Serbia po transmetohen nga zyrtarët e rëndësishëm në Kosovë. Sipas tij, veprime të tilla janë anti-shtetërore.

“Këto lajme që i ka prodhu Serbia përmes këtij skandali po përdoren nga politikanë jo pak të rëndësishëm në Kosovë për t’i fituar disa vota më shumë. Sa ja donë të mirën Daçiqi dhe Serbia Kosovës dihet, dhe nuk është mirë që politikanët në Kosovë për dy vota më shumë ta përdorin këtë, sepse është anti shtetërore dhe antikombëtare”, thekson ai në fund.

Por në të vërtetë a ekziston akti i çnjohjes?

Njohësi i çështjeve të politikës së jashtme, Avni Mazreku, për lajmi.net sqaron se e drejta ndërkombëtare nuk përcakton veprimet e shteteve.

“E drejta ndërkombëtare nuk përcakton veprimet e shtetit, pra në këtë rast edhe tërheqjen e njohjeve”, thotë ai.

Mazreku sqaron rastin e Tajvanit, shtet ky që ka vetëm 21 njohje, por që është shumë i zhvilluar në të gjitha fushat.

Në këtë kontekst, ai thotë se dështim kryesor i Kosovës ka qenë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Dështimi më i madh i Kosovës dhe diplomacisë së saj nuk kanë qenë njohjet por dështimi për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare”, thotë Mazreku.

Sipas tij, mos-anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe organizata të tjera të rëndësishme ka ndikuar negativisht në procesin e njohjeve, dhe në një situatë të tillë edhe për çnjohjet.

“Në këtë kontekst lufta e parë e Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë pengimi për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Pas arritjes së këtij qëllimi, tani Serbia po lobon për tërheqjen dhe uljen e numrit të shteteve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë ai.

Sidoqoftë, procesi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës viteve të fundit ka shënuar regres të pamohueshëm.

Në katër vitet  e fundit, Kosova është njohur nga tetë shtete të reja.

Pengesë kryesore për Kosovën, qoftë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, qoftë për liberalizimin e vizave është edhe mosnjohja nga pesë vendet e BE-së.