Përafrimi LDK- VV po e çon Ramiz Kelmendin drejt largimit nga partia e Isa Mustafës?! A do të shkoj në PDK?!

Ish- Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi po shfaq pakënaqësi me përafrimin ndërmjet LDK-së e Vetëvendosjes.

Gazeta Blic nga burime të saja brenda LDK-së merr vesh se Kelmendi ka shprehur pakënaqësi me paralajmërimin për arritjen e koalicionit me Vetëvendosjen.

“Kelmendi është shprehur i pakënaqur me mundësinë e hyrjes së LDK-së në koalicion me Vetëvendosjen. Madje, po përflitet se ai mund të largohet nga LDK”, tha ky burim.

Ky burim, ka theksuar se Kelmendi është përafruar shumë me PDK-në e Kadri Veselit.

Ramiz Kelmendi disa herë ka deklaruar edhe publikisht se është kundër një koalicioni me VV-në dhe ka kundërshtuar zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër.

Gazeta Blic ka provuar nga Kelmendi që të marrë një përgjigje nëse mund të largohet nga LDK nëse ndodh koalicioni me VV, dhe nëse mund t’i bashkohet me PDK, por ai nuk është përgjigjur

Ndërkaq, gjatë ditës Kelmendi duke e komentuar deklaratat e Albin Kurtit se nuk do të përkulet te varri i Ibrahim Rugovës, për Gazeta Blic ka theksuar se kur Albin Kurti nuk respekton historinë e ndritur të shqiptarëve nuk mund të jetë nesër kryeministër i tyre.

“Qëndrim i një lideri politik që nuk e viziton varrin e Ibrahim Rugovës, një njeriu që ka kontribuar shumë për Kosovën, do të thotë se kjo është një lloj xhelozie shume e egër. Nuk i njihet kontributi një personi që ka patur aq shumë vlera si zoti Rugova në shtet ndërtimin dhe lirinë e Kosovës. Ky lider nuk mund të jetë kryeministër i këtyre qytetarëve duke ju mohuar historinë  atyre” ka thënë shkurt Kelmendi.

Ndërkohë, ditë më parë edhe pse e tërë Lidhja Demokratike e Kosovës po del kundër koalicionit me PDK-në, Kelmendi e ka pritur në një takim Kadri Veselin.

“Nga vizita e Kryetarit z.Kadri Veseli, në Kompaninë ‘Pi&Ki’, ‘Egi Group’ dhe segmente tjera të Kompanisë tonë. Përcollëm së bashku linjat prodhuese dhe bashkëbiseduam për mundësitë e mëtejme të avansimit të sektorit prodhues në të mirë të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Ramiz Kelmendi – Deputet dhe Pronar themelues i ‘Elkos Group-Etc’”, ka shkruar Kelmendi në një postim në Facebook, derisa ka postuar edhe disa fotografi.

Ndryshe, Kelmendi fillimisht ishe pjesë e AAK-së, për të kaluar në PDK, gjatë kohës sa ishte kryetar Hashim Thaçi, dhe në zgjedhjet e fundit i ishte bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.