Pasi i ftuan ambasadorët e QUINT-it në takim me LDK-në, VV me lojë gjuhësore tentojnë ta relativizojnë rolin e tyre

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur as në takimin e djeshëm të pajtohen për ndarjen e posteve dhe formimin e qeverisë.

“Jemi pajtuar që të takohemi përsëri”, ishte epilogu edhe i takimit të djeshëm, por me një risi, takimin e radhës, Vetëvendosje e LDK kanë ftuar ambasadorët e QUINT-it si ndihmues për arritjen e marrëveshjes.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje jo rrallë herë kishte kundërshtuar dhe me ironi kishte folur për ndikimin e ndërkombëtarëve në Kosovë, madje deri në atë pikë që demokracinë në Kosovë e kishte quajtur “demokraci e importuar”,

Përveç kësaj, ai në një intervistë për Ora News në Shqipëri, kryetari i Vetëvendosjes (VV), Albin Kurti, pati folur për faktorin ndërkombëtar, duke thënë se ata na ndjekin kur ecim dhe na shtypin kur ngecim.

Kurti: Ndërkombëtarët na ndjekin kur ecim dhe na shtypin kur ngecim

Albin Kurti në pamundësi për të mos u marrë vesh me LDK-në në lidhje për koalicionin e Qeverisë, dje i ka bërë ftesë shteteve të QUINT-it dhe shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, që të jenë të pranishëm sot në takimin e tij me Isa Mustafën.

Por, pas kritikave dhe reagimeve ndaj këtij veprimi të Kurtit, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se ambasadorët e QUINT-it janë ftuar si “ndihmës”, e jo si “ndërmjetësues”.

Flasin nga VV: Ambasadorët e QUINT-it u ftuan si ndihmues, jo si ndërmjetësues

Ky arsyetim si tentim i relativizimit të rolit që do të kenë ambasadorët në arritjen e marrëveshjes për koalicion, si duket është vetëm një lojë fjalësh nga reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

E se “ndihmës” dhe “ndërmjetësues”, dallojnë e ka thënë edhe profesori i i gazetarisë, Rrahman Paçarizi, por ai në fund ka shtuar se në këtë kontekst, ndihmësi është edhe njëfarë ndërmjetësuesi.

“Dallim sigurisht që ka, ndërmjetësimi thërret palët, aranzhon takime, marrëveshje etj. Ndihmuesi në këtë rast unë po mendoj që ka rolin e dikujt që iu ndihmon palëve të heqin dorë nga qëndrimet të cilat i kanë deklaruar sepse është më lehtë të thirret në presionin ose sugjerimin e ndihmës së ndërkombëtarëve. Në njëfarë mënyre mund t’i bie se në këtë kontekst ndihmës dhe ndërmjetësues janë pothuajse njëjtë”, ka thënë Paçarizi për lajmi.net.

Sipas definicioneve gjuhësore, fjala “ndihmës” do të thotë: “ai që ndihmon dikë; njeri i caktuar për të ndihmuar dikë tjetër, nga i cili varet dhe të cilin e zëvendëson për disa detyra: ndihmës i drejtpërdrejtë”, ndërsa fjala “ndërmjetës” ose “ndërmjetësues” do të thotë: “ai që ndërmjetëson në mes të dy palëve për të arritur një marrëveshje etj”.

Në rastin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilat kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe polarizuese, “ndihma”, e ambasadorëve të QUINT-it do të jetë rrjedhimisht ndërmjetësim në përafrimin e qëndrimeve.

Ani pse ndryshe është thënë edhe në reagimin e ambasadorëve të QUINT-it të cilët janë shprehur se nuk ndërmjetësojnë dhe ndihmojnë asnjë parti.

“Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ku thuhet se ‘Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqendrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë të shteteve të QUINT-it.

Takimi VV-LDK, reagon QUINT-i: Ne nuk ndërmjetësojmë e as nuk përkrahim ndonjë parti

Sot gjatë ditës është raportuar se LVV dhe LDK janë pajtuar së bashku t’i ftojnë ambasadorët dhe kështu është deklaruar edhe nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani.

Por e kundërt me këtë deklaratë ka qenë ajo e nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu i cili është shprehur se ka qenë kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje ftesa ndaj ambasadorëve.

Ndryshe nga Osmani, Veliu thotë se VV-ja e kërkoi përfshirjen e ambasadorëve

Takimi mes dy subjekteve është planifikuar të ndodh sot në ora 17:00 në prezencë të ambasadorëve të QUINT-it dhe zyrës së BE-së në Kosovë dhe mbetet të shihet nëse “ndihma”, e tyre do t’i bëjë VV-në e LDK-në të arrijnë koalicionin.