Parku kombëtar i Sharrit i lënë në harresë

Një grup i të rinjëve nga 9 shtete  janë mbledhur në Brezovicë për të diskutuar probleme të rëndësishme të konservimit natyror. Një theks i veçantë i këtij programi është vënë në çështjen e menaxhimit të Parkut kombëtar të Sharrit dhe degradimit të vazhdueshëm natyror që është duke ndodhur në këtë zonë ligjërisht të mbrojtur. Gjatë këtyre dhjetë ditëve të analizimit të gjendjes aktuale të këtij parku, është vënë re që situata në këtë Park kombëtar është jashtë kontrollit.

Parqet kombëtare janë hapësira të rëndësishme që shërbejnë për  të mbrojtur bukuritë natyrore dhe ekosistemet unike. Këto parqe janë shtëpia e shumë specieve të rralla endemike bimore dhe shtazore. Prandaj institucionet përkatëse dhe shoqëria duhet të shfaqin një përkushtim të shtuar në mbrojtjen dhe zhvillimin e këtyre hapësirave. Rritja e shpejtë dhe e papërgjegjshme e industrisë në dëm të botës së egër është duke lënë pasoja që nuk mund të injorohen. Është përgjegjësi e jona t’i parandalojmë shkatërrimet e ardhshme të habitateve natyrore dhe të krijojmë mekanizma për mbrojtjen e natyrës së paprekur.

Parku kombëtar i Sharrit akoma ballafaqohet me eksploatimin e resurseve të tij natyrore. Prerja e drunjëve, gjuetia, prania e mbeturinave dhe ndërtimet e paligjshme janë vetëm disa nga shembujt që mund t’i hasni këtu. Turizmi dimëror është burimi i vetëm për banorët lokal, derisa malet e këtij parku mbesin të zbrasura gjatë ¾ të vitit. Ecja në mal, çiklizmi malor, vëzhgimi i botës së egër, etj., janë vetëm disa nga mundësitë që Sharri të vizitohet gjatë tërë vitit dhe për këtë nevojitet një promovim i shtuar.

Përveç problemeve që shfrytëzimi i këtyre resurseve është duke sjellur, kjo zonë mund të përballet edhe me një çështje tjetër serioze. Ndërtimi i planifikuar i një resorti skijimi me kapacitet të lartë do të ndikojë fuqishëm në ekuilibrin natyror në Parkun kombëtar të Sharrit. Fokusi kryesor i këtij projekti është në zonën A, e cila përmban 600 hektarët me vlerat më të rëndësishme natyrore të Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj zone, ndërtimi i shtëpive të pushimit dhe hoteleve të mëdha komerciale kërcënon ekosistemet e brishta pyjore, duke përfshirë florën, faunën, lumenjtë dhe dheun. Për qëllimet e një projekti të tillë, habitatet e llojeve të rralla dhe të rrezikuara do të shkatërrohen. Projekti i qendrës së skijimit është përgatitur pa ndonjë Vlerësim të Ndikimit Mjedisor dhe është në kundërshtim me dispozitat ligjore të mbrojtjes së natyrës, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit të Republikës së Kosovës.

Për më shumë, të tjerët po e evitojnë diskutimin e rolit të ndryshimeve klimatike. Në botë trendet e temperaturës po rriten dhe po e ulin sasinë e borës, që nënkupton që do të ketë periudhë më të shkurtë të skijimit. Përdorimi i borës artificiale do të sillte probleme të reja si konsumimi i tepërt i ujit dhe ndotjes nga kemikalet që do të përdoreshin për prodhimin e borës artificiale.

Bazuar në atë që kemi parë në Parkun kombëtar të Sharrit, kemi vënë re një potencial të madh për zhvillimin një ekoturizmi të bazuar në komunitet, i cili si rrjedhojë do të sillte benefite të shumta për komunitetin lokal pa e shkatërruar botën e gjallë të këtij ekosistemi. Mirëpo para se të kalojmë tek kjo pjesë është e domosdoshme të përcaktohet shkalla e degradimit të habitateve natyrore dhe gjendjes aktuale të biodiversitetit dhe specieve endemike të rrezikuara.

Institucionet përkatëse duhet ndryshuar qasjen e tyre ndaj këtij Parku kombëtar duke krijuar një Strategji të Zhvillimit të Qëndrueshëm Afatgjatë. Kjo strategji duhet të prioritizojë konservimin e vlerave natyrore dhe të sigurojë gjithëpërfshirjen e komunitetit të gjerë, ambientalistëve, institucioneve dhe shoqërisë civile. Një strategji e zhvillimit afatgjatë do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë lokale, rritjen e numrit të vizitorëve dhe në krijimin e një integrimi më të madh të të gjitha komuniteteve lokale në rajonin e Malit Sharr.

(Pjesëmarrësit e shkëmbimit rinor ‘Natyra neve na lidh” mbështetur nga programi Erasmus+ / GAIA SCI Kosova, CVS Bullgaria, SCI Greqia, VUK Kroacia, VCV Serbia and CID Maqedonia)