Paralajmërohet koalicion i madh parazgjedhor i partive politike serbe në Kosovë

Në pritje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovës, partitë politike shqiptare janë në fazën e arritjes së koalicioneve të mundshme parazgjedhore, por pak kush flet se sa parti serbe do të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe nëse ato do të shkojnë në koalicione.

Nga taborët e partive serbe nuk tregojnë nëse do të shkojnë vetëm apo në koalicione parazgjedhore, por ish-ministri serb, Sllavisha Petkoviq paralajmëron një koalicion të gjerë të partive serbe në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, që priten të mbahen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.

Sipas RTK2,  Lista Serbe ka konfirmuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, kurse kryetari i saj Goran Rakiq, pas një konference për media në Mitrovicën e Veriut, bëri thirrje për unitet.

Edhe Partia e Pavarur Liberale Serbe (SLS) është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këtë e ka konfirmuar kryetari i SLS, Sllobodan Petroviq, duke thënë se është e paqartë nëse do të garojnë vetëm, apo në ndonjë koalicion.

“Në të dy variantet, ne kemi marrë gjithmonë mbështetje të madhe nga qytetarët tanë, gjë të cilën e pres edhe në këtë zgjedhje. Pavarësisht nëse do të garojmë vetëm ose në koalicion me dikë ne do të kemi formulimin në periudhën e ardhshme. Kemi kapacitetin për të dy opsionet. Në çfarëdo rasti, nëse do të ketë më shumë opsione politike në listën tonë, ata do të kenë detyrim të luftojnë për interesat e komunitetit serb, për një jetë më të mirë dhe më cilësore të njerëzve tanë”, tha Petroviq.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë sigurisht se do të merr pjesë edhe Partia Demokratike Progresive (DPS) e Nenad Rashqit, i cili thotë se do të japë maksimumin dhe shton se ende është e paqartë nëse do të garojnë të vetme, apo në koalicion me ndonjë subjekt tjetër.

“Konsiderojmë se është rëndësishëm momenti për pjesëmarrje, për shkak të të gjitha ngjarjeve dhe përfaqësimit të dobët të përfaqësuesve politikë serbë. Për shkak të të gjitha rrethanave që na kanë sjell në situatë në të cilën serbët si popull në Kosovë jetojnë më së keqi në 20 vitet e fundit, sepse nuk kemi përfaqësim të mirë institucional, e ky është problemi më i madh. Do të marrim pjesë në zgjedhje me siguri, sepse e di që mund të sjellim cilësi në të gjithë procesin. Është e sigurt që do të ketë koalicione të caktuara, qoftë të partive politike, nismat qytetare, individë të pavarur, grupe zyrtare dhe joformale, por nuk është e qartë se si dhe kur do të ndodhë”, tha Rashiq.

Politikani i pavarur dhe ish-ministri i Kthimit, Sllavisha Petkoviq thotë se janë duke u zhvilluar negociatat për një koalicion të gjerë.

Sipas tij, të martën do të merret vesh se kush do të jet në koalicion.

“Do të dihet përafërsisht skeleti i atij koalicioni, i cili është mjaft i gjerë. Do të ketë parti politike, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarura. Nuk bëjmë asgjë të fshehtë. Ndër të tjerë aty është Nenad Rashiq me partinë e tij, Rada Trajkoviq me lëvizjen e saj, Dragisha Miriq me partinë e tij. Po zhvillohen negociata të tjera me njerëz nga veriu”, tha Petkoviq për RTK2.

“Aleanca për Kosovën” ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në një bisedë jo formale, koordinatori i kësaj aleance dhe udhëheqësi i Partisë Popullore, Nenad Radosavljeviq, tha se informacione konkrete do të japë gjatë ditëve të ardhshme.