Paralajmërohen kompromise të reja me Serbinë

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar në Sofje të Bullgarisë se nga përfundimi i negociatave me Serbinë asnjëra palë nuk fiton qind për qind dhe se duhet të ketë akomodim më afirmativ për serbët.

Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile druajnë se pala kosovare do të bëjë kompromise të reja në raport me Serbinë, duke i dhënë Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kompetenca ekzekutive, shkruan sot Gazeta Zëri.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do t’u ofrojë akomodim më afirmativ serbëve të Republikës së Kosovës.

Një paralajmërim të tillë monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi e shohin të ndërlidhur kryekëput me çështjen e asociacionit.

Sipas tyre, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet me kompetenca ekzekutive, ndonëse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Se Serbia kërkon kompromis në interes të serbëve të Kosovës e ka pohuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Por një gjë të tillë e kanë kundërshtuar përfaqësuesit e opozitës kosovare, të cilët thonë se askush nuk guxon të bëjë kompromise në dëm të Kosovës.

I pari i shtetit Hashim Thaçi ka deklaruar se nga përfundimi i negociatave me Serbinë përfitojnë të dyja palët sado që asnjëra 100 për qind.

Thaçi, ka deklaruar sot se procesi i ardhshëm për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk do të jetë fare i lehtë dhe askush nuk do të fitojë 100 për qind, duke theksuar se Kosova do ta ruajë integritetin dhe sovranitetin e vet territorial.

Presidenti Serb, Aleksander Vuçiq, Zyrtarja e lartë e BE-së, Federika Mogherini, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Sofje 2018

“Fundi i dialogut do t’i mundësojë Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB”, u ka thënë ai gazetarëve në Sofje, pas takimit me Federica Mogherinin.

Ai ka shtuar se me iniciativë të Mogherinit është mbajtur takimi i përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilin është folur rreth hapave konkretë e konstruktivë në procesin e ardhshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore.