‘Paniku ndaj koronavirusit’/ Zhulohen manipulimet me maska në tregun farmaceutik

Paniku ndaj koronavirusit ka shpërthyer edhe në vendin tonë.

Rritja e rasteve të personave të prekur nga ky virus vdekjeprurës në Maqedoni, Itali, Serbi, Kroaci, Francë e disa vende të tjera të rajonit dhe Evropës, e ka shtuar mundësinë dhe frikën e madhe që ky virus të arrijë edhe në Kosovë.

E panik më i madh i qytetarëve të Kosovës është vërejtur në këto ditët e fundit, pas dyshimeve se disa pacientë të ardhura nga këto vende, janë prekur nga koronavirus ku janë paraqitur në Qendrën Klinike Universitare, por që fatmirësisht deri më tani të gjitha kanë rezultuar si negative shkruan Syri.net Kosova.

Mirëpo, ajo për të cilën vendasit po interesohen së fundmi janë  masat preventive, për tu mbrojtur nga prekja e virusit,  i cili ka prekur mijëra persona e duke lënë te vdekur shumë prej tyre, shkruan Syri.net Kosova.

E, interesimi i madh për blerjen e maskave ka bërë që shumica e farmacive të mos kenë sasi të mjaftueshme të tyre, madje i ka detyruar ato që të bëjnë ngritje çmimi për maska apo dezinfektues, dy prej produkteve më të kërkuara që prej përhapjes së madhe të koronavirusit.

Ky abuzim me çmimet e këtyre dy produkteve po ngjallë dyshimin tek qytetarët se kjo po bëhet krejt për shkaqe biznesore, madje ata shprehen të dëshpëruar me faktin që një maskë nga 10 cent sa ishte dikur, tani të shkojë çmimi deri ne 3 euro.

“Është e tmerrshme, unë erdha të marr disa maska për veten dhe familjen meqenëse jetojmë shumë afër spitalit, por mjerisht çmimet qenkan ngritur. Krejt kjo është bërë propagandë, si mundet me u shtrenjtu një maskë prej 10 cent në 3 euro. Skandal është kjo.”, shprehet një qytetar rasti në një prej barnatoreve të kryeqendrës.

Syri.net Kosova, sot gjatë gjithë ditës ka kontrolluar disa nga farmacitë në kryeqytet për të parë çmimet se si varjojnë.

Ajo çka është parë ishte se çmimet e maskave janë ngritur në qiell.

Çmimi i një maske i cili fillimisht ishte 10 deri në 20 centë nëpër barnatoret kosovare tashmë ka shkuar deri në 2 dhe 3 euro.

Por pavarësisht këtij çmimi maskat mbrojtëse vështirë se po mund të gjenden nëpër barnatore, ani pse kërkesa është e madhe.

Por sa mund ti mbrojë një maskë qytetarët?

Menaxheri i barnatores “Fleming”, në Prishtinë, Agim Abdullahu në një prononcim të shkurtër për Syri.net Kosova e ka konfirmuar mungesën e maskave nëpër depot e Kosovës, megjithatë ai ka thënë se një maskë nuk mund ti mbrojë edhe aq qytetarët.

Sipas tij, kjo situatë fatkeqësisht është shndërruar në një biznes.

“Ka mungesë në depo, por nuk është për me u shqetësu maska nuk është që të mbron shumë, më shumë është shkaktu panik, ka kalu në biznes fatkeqësisht. Ne i kemi 20 cent është çmimi më i ulët, pacientët po tregojnë që ka çmime deri në 5 euro, në këtë kohë është keq me lujt me çmime, nuk besoj se është e domosdoshme”, shprehet Abdullahu.

E në lidhje me ngritjen e çmimeve të maskave dhe produkteve me përmbajtje dezinfektuese të cilat qytetarët po i blejnë si masa mbrojtëse për koronavirusin që ka shkaktuar një gjendje paniku edhe në vendin tonë, redaksia jonë ka kontaktuar me shefin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës , Valon Presteshi, i cili ka thënë se kjo e fundit do të filloj me hetimin e këtij fenomeni.

“Nëse të gjithë furnizuesit e maskave, janë marrë vesh në mënyrë të shkruar apo të bashkërenduar për t’i caktuar apo fiksuar çmimet e këtij produkti, atëherë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës menjëherë do të filloj monitorimin/ hetimin preliminar të këtij fenomeni”, është deklaruar Presteshi.

Nga ana tjetër Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Minishi tha për Syri.net Kosova se ende nuk ka nisë me hetime lidhur me këtë çështje.

Kurse zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, tha për Syri.net se inspektorati farmaceutik e monitoron edhe këtë situatë.

Sipas tij ka raportime për mungesë të maskave në farmaci dhe për tendenca të shfrytëzimit të shqetësimeve për situatën për të përfituar.

Kurse ‘OJQ  Konsumatori’ duke folur rreth çmimeve të maskave ka theksuar se përpjesëtimisht me rritjen e kërkesës u ngritën edhe çmimet në trajtën zinxhirore  dhe nëpërmes tregtarëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e shëndetsisë kanë qenë të obliguara që në rastin si ky ta kontrollojnë tregun dhe nga fondi i rezervave shtetërore, nga fondi i shërimit jasht vendit, nga fondet rezervë të Qeverisë ose të MSH-së ..të kërkojnë mjete për blerjen ose qepjen e sasive të mjaftueshme të maskave”, tha Selatin Kaçaniku nga Konsumatori.

Ndryshe, koronavirusi besohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës, ku rastet e para janë paraqitur në Wuhan në dhjetorin e vitit të kaluar.

Sipas shifrave të fundit, numri i rasteve të prekura ka kaluar tashmë 80,000, ndërsa të vdekur janë raportuar mbi 2,600 persona.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.