OVL e UÇK-së: Vetëm klika titiste nuk e njohin kontributin e Klosit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka dal në krah Fatos Klosit, duke e quajtur si njëri nga ndihmuesit më të mdhenj të luftës së Kosovës.

Kjo organizatë përmes një komunikate e ka quajtur Klosin si urë lidhëse në mes UÇK-së dhe institucioneve të huaja.

Kjo është komunikata e plotë e OVL të UÇK-së:
“Lufta çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës, të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kishte të domosdoshme dhe jetike mbështetjen e shtetit amë, Shqipërisë dhe institucioneve të saj, politike e shtetërore. Cilado qeveri që do të ishte në pushtet, Shtabi i Përgjithshëm do të kërkonte domosdosmërisht krijimin e urave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe të realizimit të misionit historik, çlirimin e Kosovës.

Duhet pranuar se shteti shqiptar, pavarësisht nga vështirësitë e vitit 1997 dhe më pas, kur vendi ishte i shkatërruar dhe nën monitorimin ndërkombëtar, vuri të gjitha mundësitë e saj institucionale për të bërë të mundur që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të kishte një mjedis të sigurtë në Shqipëri. Por, në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur mes UÇK-së dhe Shtetit Shqiptar marëdhënie varësie ose diktati, përkundrazi, ata kanë ruajtur fizioniminë dhe personalitetin e tyre politik, juridik dhe ushtarak.

Në mes të institucionave të përcaktuara qartë në dobi të Luftës sonë çlirimtare, do të ishte edhe Shërbimi Informativ Shqiptar, i drejtuar nga zoti Fatos Klosi. Vetëm keqdashësit dhe klika titiste, e realizuar edhe një herë përmes një pushteti administrativ, nuk mund të dinë të vërtetën se përmes Shërbimit Shqiptar ishin edhe Institucione të tjera të një rëndësie të veçantë ndërkombëtare dhe përmes zotit Klosi u vendosën lidhje të qëndrueshme me botën ndërkombëtare, në ato fusha ku ishte edhe detyra e tij institucionale.

Zoti Fatos Klosi, ndoshta edhe më shumë nga sa ishte detyra e tij, u angazhua fuqimisht në përpjekjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ndihmoi me të gjitha kompencat që i jepte detyra e tij, që në luftë shqiptarët të ishin së bashku, që rrugët e shtetit shqiptar të ishin gjithnjë e më të sigurta, që përmes strukturave të tij të krijoheshin lidhje edhe me institucionet e tjera të shtetit shqiptar.

Lufta në Kosovë nuk mund të përceptohet pa kontributin e Shqipërisë, pavarësisht se kush qeveriste asaj kohe, ashtu si eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës gjeti mbështetjen më të madhe tek vëllezërit e Shqipërisë. Përpjekjet e vazhdueshme të zotit Klosi në dobi të luftës sonë çlirimtare, duan apo nuk duan strukturat e vjetra politike, janë të një rëndësie të veçantë dhe si të tilla ato kanë mirënjohjen e luftëtarëve, strukturave dhe shtabeve drejtuese të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”